Gazment Bardhi reagoi ndaj komenteve të Taulant Ballës për eurodeputetin Michael Gahler, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe skandaloze.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kritikoi gjuhën e përdorur ndaj Gahlerit, i cili drejton Delegacionin e Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri dhe është koordinator i grupit parlamentar të EPP-së.
Të lidhura
None found
Bardhi tha se apeli i eurodeputetit duhet dëgjuar dhe trajtuar me seriozitet. Sipas tij, ai nuk shpreh vetëm një mendim personal, por përputhet edhe me qëndrimin e përfshirë në Rezolutën e Parlamentit Europian të vitit 2025.
Ai nënvizoi se zgjedhjet e lira, të ndershme, të barabarta e demokratike, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë përgjegjësi thelbësore për demokracinë dhe parakushte për përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.
Bardhi përfundoi se nuk mund të intimidohen ose delegjitimohen përfaqësuesit europianë që kërkojnë respektimin e standardeve demokratike dhe të parimeve e vlerave të Bashkimit Europian.








