Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po zhvillon një vizitë zyrtare në Budapest, ku është pritur nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Anita Orban.

Në fokus të takimit ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë, ku Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë për integrimin e vendit, si dhe rolin e saj si një zë i rëndësishëm në Bashkimin Evropian për çështjet që lidhen me Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe përmes Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor.

Ministri theksoi se Shqipëria ndodhet në fazën më vendimtare të negociatave për anëtarësimin në BE, ndërsa objektivi është përmbyllja e pjesës teknike të tyre deri në fund të vitit 2027.

“Ka diçka veçanërisht të vlefshme në diskutimin për zgjerimin me vende që e kanë përshkuar vetë këtë rrugë. Ato e dinë çfarë kërkon ky proces, por dinë edhe çfarë sjell ai. Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën më vendimtare të negociatave të saj për anëtarësimin në BE. Ambicia jonë, siç pasqyrohet tashmë edhe në udhërrëfyesin e Komisionit, është e qartë: të bëjmë punën, të çojmë përpara reformat dhe të përmbyllim pjesën teknike të negociatave deri në fund të vitit 2027. Ndërsa ecim përpara në këtë fazë kërkuese, jemi të kënaqur që mund të mbështetemi në përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë”, deklaroi Hoxha.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Hoxha u shpreh se synimi është zgjerimi i tregtisë dhe investimeve, forcimi i lidhjeve energjetike, rritja e turizmit dhe thellimi i bashkëpunimit në arsim dhe kulturë.

“Ramë dakord se sfida e radhës është t’u japim këtyre marrëdhënieve edhe më shumë përmbajtje ekonomike dhe njerëzore: më shumë tregti dhe investime, lidhje më të forta energjetike, më shumë turizëm dhe bashkëpunim më të thellë në arsim dhe kulturë. Bizneset hungareze kanë tashmë një prani të rëndësishme në Shqipëri, por potenciali për të bërë më shumë është i konsiderueshëm”, tha ministri.

Ai shtoi se tashmë përgjegjësia e të dy vendeve është të krijojnë më shumë mundësi konkrete për qytetarët dhe bizneset.

Gjatë takimit, Hoxha dhe Orban shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për sigurinë rajonale dhe atë evropiane. Në diskutime u përfshinë edhe siguria energjetike dhe rëndësia e unitetit të Aleancës së NATO-s, në një kohë kur Evropa përballet me sfida të thella gjeopolitike.