Rusia dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për shkëmbimin e një numri të madh të burgosurish pas negociatave trepalëshe me Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi. Bisedimet përfunduan këtë të mërkurë, 11 nëntor, ndërsa të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë të enjten drejt Moskës për të takuar presidentin Vladimir Putin dhe më pas drejt Dublinit për një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Dita e dytë e negociatave zgjati rreth një orë e gjysmë. Në tryezë ishin delegacionet e Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së, ndërsa përfaqësues të Bashkimit Europian, NATO-s, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë zhvilluan takime të veçanta me amerikanët.
Kryenegociatori rus Vladimir Medinsky njoftoi se palët kishin arritur mirëkuptim për disa çështje dhe se bisedimet do të vazhdonin. Sipas Moskës, shkëmbimi i të burgosurve mund të realizohet brenda dy ose tre javësh.
Jared Kushner e cilësoi atë si shkëmbimin më të madh të të burgosurve deri tani, ndërsa bëri të ditur se numri i tyre do të përcaktohet gjatë takimit të së enjtes me Putinin. Megjithatë, përfaqësuesit amerikanë pranuan se mes palëve vazhdon të mungojë besimi.
Pavarësisht marrëveshjes për të burgosurit, qëndrimet e Moskës dhe Kievit për përfundimin e luftës mbeten të ndryshme. Kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, deklaroi se ekzistojnë ende “mosmarrëveshje thelbësore” dhe se ka shumë punë për t'u bërë, por shtoi se ka mundësi për vazhdimin e negociatave.
Nga ana tjetër, Medinsky u shpreh më optimist. I pyetur nëse Rusia dhe Ukraina janë afruar drejt paqes pas takimeve në Abu Dhabi, ai u përgjigj: “Më duket se po”. Megjithatë, kryenegociatori rus përjashtoi mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve.
Çështja territoriale mbetet një nga pengesat kryesore. Rusia kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga Donetsku, Luhansku, Khersoni dhe Zaporizhzhia, si dhe heqjen dorë të Ukrainës nga anëtarësimi në NATO. Kievi, nga ana tjetër, kërkon garanci që të mos përballet me humbje të tjera territoriale në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti se Moska nuk do të pranojë kërkesat europiane për një armëpushim të menjëhershëm dhe se objektivat e përcaktuara nga Putin në qershor të vitit 2024 mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, një tjetër çështje e diskutuar ishte përfshirja e Europës në negociata. Presidenti Zelensky këmbënguli se vendet europiane duhet të përfaqësohen në proces, ndërsa Kushner deklaroi se do të kërkojë miratimin e Putinit për një hap të tillë.
Nga Brukseli, shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, kritikoi qëndrimin e Moskës. “Bashkimi Europian ka mbështetur gjithmonë përpjekjet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Problemi i vetëm është se Rusia nuk tregon asnjë gatishmëri për të negociuar seriozisht”, deklaroi ajo në Parlamentin Europian.
Paralelisht me këto zhvillime, Kremlini konfirmoi se Moska dhe Uashingtoni po diskutojnë mundësinë e një takimi mes Vladimir Putinit dhe Donald Trump gjatë samitit të APEC, që do të zhvillohet më 18 dhe 19 nëntor në Shenzhen të Kinës.
Takimet e së enjtes me Putinin dhe Zelenskyn do të jenë hapi i radhës i ndërmjetësimit amerikan, ndërsa mbetet për t'u parë nëse palët do të arrijnë të afrojnë qëndrimet për çështjet që vazhdojnë t'i ndajnë.







Komente
Komento