Tensione në vendet baltike, ngrihen bombarduesit e NATO-s
Tensione të reja në kufirin lindor të NATO-s, pasi disa dronë hynë në hapësirën ajrore të Lituanisë dhe vendeve fqinje. Autoritetet aktivizuan alarmet dhe ngritën avionët luftarakë për misione të mbrojtjes ajrore.
Vendet balltike janë vënë në gjendje alarmi pas zbulimit të disa dronëve në hapësirën e tyre ajrore, në një tjetër incident që shton shqetësimet për përhapjen e pasojave të luftës në Ukrainë drejt territorit të NATO-s.
Letonia ishte ndër shtetet e para që aktivizoi alarmet për rrezikun nga sulmet ajrore. Sipas Forcave të Armatosura Kombëtare, rreth orës 23:20 të së martës u lëshua alarm portokalli në rajonin e Ludzës. Rreth 20 minuta më vonë, paralajmërime për hapësirën ajrore u aktivizuan edhe në komunat Augsdaugava dhe Kraslava.
Një alarm i ngjashëm ishte dhënë më herët edhe në Lituani. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Krizave në këtë vend njoftoi se ishte marrë vendimi për ngritjen e avionëve luftarakë të NATO-s, me qëllim monitorimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Situata u qetësua disa orë më vonë. Rreth orës 00:20, niveli i alarmit në tre rajonet u ul nga portokalli në të verdhë, ndërsa rreth orës 00:40 paralajmërimet u hoqën.
Sipas raportimeve, të paktën katër dronë u përfshinë në incidentet ajrore, në një kohë kur Ukraina po zhvillonte sulme me mjete pa pilot ndaj objektivave në Rusi. Disa prej tyre u zbuluan fillimisht në territorin e Bjellorusisë, nga ku lëviznin në drejtim të veriut.
Autoritetet lituaneze bënë të ditur se tre dronë u vunë re duke fluturuar mbi territorin bjellorus, në drejtim të veri-verilindjes. Për shkak të lëvizjeve të tyre, avionët e NATO-s u ngritën në ajër për të monitoruar situatën.
Një incident tjetër u regjistrua rreth orës 01:20 të 11 nëntorit, kur një dron i katërt u vu re duke kaluar nga Bjellorusia në hapësirën ajrore të Lituanisë.
Sipas shpjegimit të autoriteteve, objekti nuk u godit, pasi ndodhej mbi një zonë të banuar dhe ndërhyrja me armë mund të rrezikonte banorët nga rënia e mbetjeve të tij.
Ngjarjet kanë shtuar shqetësimin se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mund të sjellë incidente të tjera në shtetet që kufizohen me Moskën dhe aleatin e saj, Bjellorusinë. Gjatë këtij viti, hyrja e dronëve ushtarakë ukrainas në hapësirën ajrore të Finlandës dhe vendeve balltike ka ngritur vazhdimisht alarmin në rajon.
Edhe Finlanda mori masa parandaluese, duke vendosur përkohësisht kufizime në hapësirën ajrore dhe detare në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës. Kufizimet u hoqën më vonë, pasi autoritetet vlerësuan situatën.
Ndërkohë, luftimet patën pasoja edhe në territorin rus. Mbetjet e një droni shkaktuan vdekjen e dy personave në rajonin e Smolenskut, në kufi me Bjellorusinë, sipas njoftimit të guvernatorit lokal të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.
Incidentet e fundit tregojnë se hapësira ajrore në krahun lindor të NATO-s mbetet nën presion, ndërsa aleanca po përballet me rrezikun e incidenteve të paqëllimshme që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet në rajon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



