8 vite burg për pjesëtarin e grupit që trafikonte kokainë drejt Skandinavisë
SPAK i kërkoi edhe konfiskimin e pasurive!
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 8 vite burg Zamir Hoxhën, pasi e ka shpallur fajtor për trafikim narkotikësh dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Vendimi është dhënë më 11 nëntor 2026, pas shqyrtimit të dosjes që lidhet me një rrjet të dyshuar për trafikimin e kokainës dhe kanabisit drejt vendeve nordike.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Hoxha u dënua fillimisht me 12 vite burg për trafikimin e narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe me 2 vite të tjera për pjesëmarrjen në këtë grup. Pas bashkimit të dënimeve, masa përfundimtare u përcaktua në 12 vite burg.
Megjithatë, për shkak se çështja u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, atij iu zbrit një e treta e dënimit, duke përfunduar me 8 vite heqje lirie.
GJKKO ka vendosur gjithashtu që dënimi të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë, ndërsa afati i burgimit do të nisë nga dita e ekzekutimit të vendimit.
Grupi i Jetmir Kastratit trafikonte drogë drejt Skandinavisë
Sipas hetimeve, Zamir Hoxha ishte pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Jetmir Kastrati, i njohur edhe si Sokol Krasnici.
Aktiviteti i këtij rrjeti dyshohet se është zhvilluar gjatë viteve 2018-2019, duke përfshirë trafikimin dhe përpunimin e kokainës dhe kanabisit. Lënda narkotike më pas shpërndahej në tregjet e Danimarkës, Suedisë dhe Norvegjisë.
Hetimi i SPAK-ut u përqendrua te veprimtaria e personave të përfshirë në këtë organizim kriminal dhe rolet që ata kishin në zinxhirin e trafikimit të narkotikëve.
SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të katër vëllezërve Hoxha
Emri i Zamir Hoxhës ishte shfaqur edhe më herët në një tjetër procedurë të Prokurorisë së Posaçme. Në vitin 2024, SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të tetë personave të lidhur me këtë grup kriminal, mes tyre edhe katër vëllezërit Zamir, Vladimir, Dilaver (Oliver) dhe Mentor Hoxha.
Sipas Prokurorisë, katër vëllezërit kishin qenë më parë objekt hetimesh ose dënimesh në Itali për vepra të ndryshme penale, përfshirë pjesëmarrjen në organizatë kriminale, shfrytëzimin e prostitucionit, emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Kërkesa për konfiskim ishte pjesë e përpjekjeve për të identifikuar dhe sekuestruar pasuritë që dyshohej se kishin lidhje me aktivitetin kriminal të personave të hetuar.
Vendimi i fundit ndaj Zamir Hoxhës nuk është përfundimtar. Ai mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga dita pas njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



