Lifestyle

Pse shpenzojmë më shumë kur paguajmë me kartë sesa kur përdorim para në dorë?

Të paguash me kartë është e shpejtë, praktike dhe shpesh kërkon vetëm një prekje të vogël. Por pikërisht kjo lehtësi mund të ndryshojë mënyrën si e përjetojmë shpenzimin e parave. Kur paguajmë me para në dorë, i shohim dhe i dorëzojmë fizikisht kartëmonedhat, ndërsa me kartë procesi është më pak i prekshëm. Në psikologjinë e konsumatorit, ky fenomen lidhet me atë që quhet “dhimbja e pagesës”: ndjesia psikologjike që shoqëron momentin kur ndahemi nga paratë tona.

Një studim i publikuar në vitin 2024 në revistën Journal of Economic Behavior & Organizationanalizoi të dhëna nga konsumatorë në Holandë dhe shqyrtoi mënyrën si ndikon forma e pagesës në përjetimin e shpenzimit. Rezultatet treguan se pagesat elektronike, veçanërisht ato pa kontakt, shoqëroheshin me një ndjesi më të ulët të “dhimbjes së pagesës” krahasuar me pagesat me para në dorë. Studiuesit vunë re gjithashtu se konsumatorët e konsideronin pagesën me para në dorë më të dobishme për të shmangur shpenzimet e tepërta. Një kërkim edhe më i gjerë, i publikuar në gusht 2026 në Journal of Consumer Research, përfshiu 13 përsëritje të mëdha eksperimentale me gjithsej 32.371 pjesëmarrës. Rezultatet mbështetën idenë se pagesa me para në dorë mund të ndihet psikologjikisht më e rëndë se pagesa me kartë dhe se kjo diferencë mund të ndikojë në shumën që shpenzojmë.

Shpjegimi është relativisht i thjeshtë: kur nuk e shohim fizikisht shumën që po largohet nga portofoli ynë, mund të mos e ndiejmë shpenzimin në të njëjtën mënyrë. Kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit shpenzojnë më shumë me kartë, pasi zakonet financiare dhe mënyra si menaxhojmë buxhetin ndryshojnë nga një person te tjetri. Megjithatë, nëse ke tendencë të blesh në mënyrë impulsive, mund të të ndihmojë të vendosësh një kufi javor për shpenzimet, të kontrollosh transaksionet dhe të planifikosh blerjet përpara se të paguash. Ndonjëherë, mënyra si paguajmë mund të ndikojë më shumë te vendimet tona financiare sesa mendojmë.