
Ministria e Jashtme ruse njoftoi të mërkurën se ka ndaluar hyrjen në Rusi për dy deputetë francezë dhe dy gazetarë, si masë hakmarrëse ndaj përjashtimit nga Franca të komentueses pro-Kremlinit, Xenia Fedorova. Zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova, u shpreh në një konferencë për shtyp se katër personat u shënjestruan “për shkak të përfshirjes së tyre në ngacmimin e Fedorova dhe thirrjeve për përjashtimin e saj”.
Kështu, Rusia ndalon francezë që kanë kritikuar ose raportuar për të. Emrat e tyre janë deputetët Sacha Houlié dhe Arthur Delaporte, si dhe gazetarët Ariane Chemin dhe Paul Gogo, të cilëve u ndalohet hyrja në territorin rus, sipas njoftimit të ministrisë ruse të Jashtme. Zakharova e bëri publik vendimin gjatë një takimi me gazetarët, duke e lidhur drejtpërdrejt me rastin e Fedorova, ish-kreue e RT France, e cila prej kohësh është nën masat e Francës dhe të Bashkimit Evropian.
Fedorova, e cila drejtoi RT France, është tashmë një nga fytyrat mediatike të grupit të zotëruar nga miliarderi konservator Vincent Bolloré. Që nga fundi i korrikut ajo është objekt i një urdhri përjashtimi dhe i një ngrirjeje të aseteve në Francë, ndërsa që nga shtatori ndodhet edhe nën sanksionet e Bashkimit Evropian.
Sipas një dokumenti të botuar në Fletoren Zyrtare të BE-së më 24 shtator, Fedorova akuzohet se ka përcjellë “mesazhe në përputhje me ato të promovuara nga autoritetet ruse”. Dokumenti i BE-së thekson se ajo “ka paraqitur në mënyrë të veçantë mbështetjen perëndimore dhe evropiane për Ukrainën si një faktor që zgjat luftën, ka përshkruar Rusinë si një vend që kërkon paqe, ndërsa Evropën si mbështetëse të konfrontimit, ka vënë në dyshim faktet e vendosura në lidhje me transferimin dhe deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas dhe ka përhapur mesazhe që i paraqesin politikat evropiane dhe të NATO-s si kërcënime për sigurinë evropiane”.
Në vendimin e tij, BE-ja vëren se, që kur u pezulluan aktivitetet transmetuese të RT-së, Fedorova është shfaqur rregullisht në disa media franceze, përfshirë kanalin televiziv CNews, radiostacionin Europe 1 dhe gazetën JDD, “përmes të cilave ajo ka vazhduar t’i përhapë këto mesazhe një audiencë të gjerë në Francë”.
Ndër të ndaluarit është edhe deputeti socialist Arthur Delaporte, i cili në qershor, gjatë seancës së pyetjeve në parlament, e sfidoi ministrin e Brendshëm Laurent Nuñez për rinovimin e lejes së qëndrimit dhjetëvjeçare të Fedorova. Ai e quajti atëherë vendimin e prefekturës “të padrejtë dhe jofunksional” dhe e përshkroi Fedorova si “propagandiste e Kremlinit” dhe “agjente që destabilizon vendin tonë”, duke pyetur: “A do t’ia tërhiqni lejen dhe a do të nisni procedurat e përjashtimit?”.
Deputeti Sacha Houlié, i cili kryesoi komisionin e ligjeve të Asamblesë Kombëtare nga 2022 deri në 2024 dhe është anëtar i delegacionit parlamentar të inteligjencës, në nëntor 2023 shkroi një raport mbi cenueshmërinë e Francës ndaj ndërhyrjeve të huaja, ku përshkruhen hollësisht metodat që Moska preferon për të zgjeruar ndikimin e saj në Francë dhe në botë.
Duke reaguar në platformën X për ndalimin, Houlié e quajti vendimin “njohje e punës sime kundër ndërhyrjeve të huaja në Francë” dhe shtoi se sanksioni “më fton të vazhdoj këtë angazhim të drejtë për mbrojtjen e interesave themelore të Francës”. Houlié është deputet i partisë Place publique dhe mbështetës i Raphaël Glucksmann, kandidat në zgjedhjet presidenciale franceze, i cili më parë ka deklaruar se është shënjestruar nga operacione ruse “destabilizimi” në internet.
Gazetarja Ariane Chemin, reportere e lartë në gazetën franceze Le Monde dhe shkrimtare, në maj botoi librin “Lufta – Këta janë emra të përveçëm”, një rrëfim letrar mbi pasojat e pushtimit rus të Ukrainës. Gazetari Paul Gogo, i cili punon për disa media, ka jetuar dhe punuar në Rusi për nëntë vjet deri në shkurt 2026; ai u shpërngul atje në vitin 2017, pasi kishte qenë i vendosur në Ukrainë që nga viti 2014.
