Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të sfidës ndaj Finlandës, e vlefshme për Ligën e Kombeve, që do të zhvillohet më 12 nëntor në “Arenën Kombëtare”.
Tekniku italian theksoi se objektivi i kuqezinjve është i qartë: fitorja dhe marrja e tri pikëve, ndërsa kërkoi përqendrim maksimal dhe përgjegjësi përpara tifozëve shqiptarë.
Maran u ndal edhe te rëndësia e lojës në grup, duke theksuar se suksesi i skuadrës vlen më shumë se golat individualë.
Ai kujtoi paraqitjen në Helsinki, ku Shqipëria tregoi se mund të kontrollojë lojën dhe të krijojë raste edhe në vështirësi, ndërsa shprehu besimin se ekipi do të reagojë në sfidën e radhës për të kënaqur tifozët kuqezi.
Tifozët: Shpresojmë të gjithë që të shohim golat e lojtarëve tanë. E shpresojnë ata, e shpresoj unë dhe padyshim edhe tifozët. Si ekip, jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për t’ua shpërblyer të gjithëve mbështetjen. I shoh të gjithë lojtarët që, sa herë vijnë këtu, duan të japin maksimumin.
Ne duhet që mbështetjen e kaq shumë tifozëve ta justifikojmë në fushë, duke luajtur me përgjegjësi të madhe, sepse përfaqësojmë diçka shumë të rëndësishme dhe këtë e dimë të gjithë.
3 pikët: “Mua më intereson Shqipëria dhe synimi im është të marrim tri pikët. Sigurisht, edhe trajneri i Finlandës mund të thotë të njëjtën gjë, por unë kam ekipin tim dhe objektivin tim. Ne duhet të jemi të bindur për atë që mund të bëjmë në fushë dhe të përqendrohemi te vetja.”
Individualizmi: Pas ndeshjes me San Marinon e kemi sqaruar këtë çështje: rëndësi ka fitorja dhe jo se kush shënon gol. Edhe pse në pjesën e dytë ndaj San Marinos bëmë një gabim, pasi ulëm ritmin e lojës, lojtarët duhet ta kuptojnë se kjo nuk duhet të përsëritet. Nuk ka nevojë t’ua themi gjithçka. Ndonjëherë gabimet duhen korrigjuar dhe duhet të parandalojmë përsëritjen e tyre, por një skuadër e arrirë është ajo që kupton gabimet dhe gjen sërish rrugën e duhur.
Nga Helsinki ne Tirane: Ne hyjmë gjithmonë në fushë me synimin për të shënuar të parët dhe për të pësuar sa më pak gola të jetë e mundur. Sigurisht, ndeshja me San Marinon e zbehu disi punën që kishim bërë, por në përballjen me Finlandën në Helsinki treguam se mund ta kontrollonim lojën, të krijonim raste dhe të shënonim.
Madje, edhe me një lojtar më pak, zhvilluam një paraqitje të mirë. Jam i bindur se mund ta bëjmë sërish atë që dimë dhe besoj se do ta tregojmë këtë nesër në fushë.














