Aktualitet

Debat në Komisionin e Ekonomisë, miratohet në parim brenda 9 minutash Projekt-Buxheti 2027

Projektbuxheti i vitit 2027 është miratuar në parim në Komisionin e Ekonomisë me 8 vota pro dhe 4 kundër, pas një diskutimi që zgjati rreth 9 minuta.

Projektligji do të kalojë tashmë për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit.

Gjatë mbledhjes pati debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës lidhur me zhvillimin e dëgjesave me ministritë, konkretisht me Ministrinë e Infrastrukturës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, argumentoi se Ministria e Infrastrukturës kishte zhvilluar dëgjesën në komisionin përgjegjës dhe se kjo çështje lidhej me votimin në parim të projektbuxhetit.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, kërkoi që të zhvillohej më parë diskutimi me Ministrinë e Infrastrukturës, duke theksuar se ishte ndjekur e njëjta praktikë edhe për ministritë e tjera.

Debati:

Erion Braçe, deputet i PS: Ministria e Infrastrukturës ka bërë dëgjesë në komisionin e saj përgjegjës, është i lidhur me votimin në parim.

Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit të Ekonomisë: Jep llogari te burimet natyrore, ne kemi dëgjesa edhe në vijim për buxhetin, nen për nen.

Bujar Leskaj, deputet i PD: Ne kemi diskutuar për çdo ministri, duhet dhe për Ministrinë e Infrastrukturës. Dje përcaktuam që do të zhvillojmë seancën me Ministrinë e Energjisë, pastaj do ta kalojmë. Nuk është punë kartoni.

Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit të Ekonomisë: Është punë procedure.

Braçe: Dhe ti punë kartoni e ke, Leskaj.

Bujar Leskaj: Kështu e keni bërë dhe Kuvendin dhe keni kritika nga ndërkombëtarët. Pse ta prishni këtë harmoni?

Milva Ekonomi: Pse nuk dëshironit atë ditë kur e caktuam, ju menduat se nuk ishte momenti. Atëherë kalojmë në votim. Kush është dakord ta kalojmë në miratim?