Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka ngritur akuza të forta lidhur me një skemë të pretenduar lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sipas tij janë paguar rreth 2 milionë dollarë për interesa politike të kryeministrit Edi Rama.

Toska pretendon se në këtë proces janë të përfshirë vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, dhe biznesmeni Besnik Sulaj, përmes kompanisë Balkan Energy, e cila sipas dokumenteve të përmendura nga gazetari ka lidhur një kontratë me kompaninë amerikane të lobimit Ballard & Partners.

Sipas Toskës, bëhet fjalë për një kontratë me vlerë rreth 2 milionë dollarë, ndërsa pagesat dhe dokumentacioni përkatës janë deklaruar në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Ky investigim është me dokument. Përmes biznesmenit Besnik Sulaj, ka një kontratë të kompanisë Balkan Energy. Janë dy dokumente të rëndësishme. Këtu është lista e pagesave të bëra në Departamentin e Shtetit. Besnik Sulaj, përmes kompanive të tij, ka kontraktuar kompaninë lobuese Ballard & Partners”, deklaroi gazetari.

Ai ngriti pikëpyetje mbi arsyen se përse një biznesmen si Sulaj do të financonte një fushatë të tillë lobimi në SHBA, duke pretenduar se pagesat nuk janë kryer për interesat e tij personale të biznesit, por për interesa politike të Edi Ramës, përmes Olsi Ramës.

Toska përmendi edhe gjendjen financiare të kompanive të biznesmenit, duke pretenduar se Sulaj ka deklaruar në tatime humbje prej 1.7 miliardë lekësh. Për këtë arsye, gazetari ngriti pyetjen se nga janë siguruar paratë për të financuar lobimin në SHBA.

Një tjetër element që Toska lidhi me këtë çështje është ndërtimi i një kulle të re në zonën e Tajvanit në Tiranë, projekt i prezantuar nga kryeministri Rama gjatë muajit tetor. Sipas gazetarit, ekzistojnë dyshime se projekti mund të jetë pjesë e një marrëdhënieje përfitimesh mes biznesmenit Sulaj dhe familjes Rama, në këmbim të financimit të lobimit në SHBA.

Ai krahasoi situatën me protestat e Gezi Park në Turqi, ku qytetarët u ngritën kundër ndërhyrjeve në një hapësirë të gjelbër, duke ngritur shqetësimin për ndërtimin e kullës në zonën e parkut të Tiranës.

Gazetari përmendi gjithashtu edhe një kazino pranë Tajvanit, për të cilën tha se përflitet se është e lidhur me Olsi Ramën, duke kërkuar që këto marrëdhënie të hetohen nga institucionet përgjegjëse.

“Ky është një rast që po hetohet nga amerikanët. Këtu nuk bëhet fjalë që Sulaj ka firmosur për interesin e tij, por për Olsi Ramën, që zotëron këto para”, u shpreh Toska, duke shtuar se çështja duhet të marrë vëmendjen edhe të SPAK-ut.

Në vijim, gazetari deklaroi se pagesat për lobimin kanë nisur më 25 mars 2026 dhe se qëllimi, sipas tij, është afrimi i kryeministrit Edi Rama me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.

Almer Toska:

Ndërkombëtarët, eurodeputetët, kanë mbajtur qëndrime të forta në raport me Shqipërinë, duke filluar nga Marta Kos e deri te eurodeputetë të ndryshëm. Gahler ka akuzuar kryeministrin për mbrojtjen e Belinda Ballukut dhe kjo ka një rëndësi të madhe sa i përket degradimit juridik dhe politik në këtë rast. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai e bën Ramën njësoj të cenueshëm si Balluku.

Kryeministri Rama, përmes Olsi Ramës dhe një biznesmeni, ka lobuar 2 milionë dollarë në Departamentin Amerikan të Shtetit për lobim personal të Ramës. Ky investigim është i dokumentuar. Përmes biznesmenit Besnik Sulaj ekziston një kontratë e kompanisë Balkan Energy. Janë dy dokumente të rëndësishme. Këtu është lista e pagesave të bëra për lobimin në SHBA.

Besnik Sulaj, përmes kompanive të tij, ka kontraktuar kompaninë lobuese Ballard & Partners. Sulaj i ka thënë gazetarit Flamur Vezaj se e ka bërë këtë për çështje biznesi. Nuk besoj se ai ka ndonjë interes të lobojë në DASH për interesat e tij. Besnik Sulaj është i detyruar nga Olsi Rama ta bëjë këtë. Bëhet fjalë për një kontratë që, sipas dokumentit zyrtar, është 1.7 milionë dollarë për lobim.

Kemi një kontratë të firmosur nga Balkan Energy dhe Ballard, si dhe faturat e paguara. Pra, DASH-i i deklaron zyrtarisht të gjitha kompanitë lobuese. Është një marrëveshje lobimi mes Besnik Sulajt, të përfaqësuar nga Balkan Energy dhe kompanisë së tij tjetër në Dubai, me kompaninë lobuese Ballard.

Këtu nuk bëhet fjalë që Sulaj ka firmosur për interesin e tij, por për Olsi Ramën, i cili zotëron këto para. Besnik Sulaj, me kompaninë e tij, ka deklaruar në tatime humbje prej 1.7 miliardë lekësh. Ku i gjeti paratë Besnik Sulaj që pagoi 2 milionë dollarë për lobim në SHBA? Pse duhet të jetë Besnik Sulaj?

Ky është një rast që po hetohet nga amerikanët. Në muajin tetor, Rama prezantoi një kullë të re që do të ndërtohet te Tajvani. Kjo na lë të kuptojmë se Sulaj, në këmbim të lobimit që po bën me Olsi Ramën për Edi Ramën, ka marrë këtë kullë.

Si po ndërtohet një kullë pa pyetur njeri, as qytetarët dhe as ekspertët? Ndërkohë, në Turqi, në vitin 2013, ka pasur një protestë që quhej “Gezi Park”, ku dolën aktivistët që mbronin parkun. Tani, në mes të parkut të Tiranës, ndërtohet një kullë nga Besnik Sulaj dhe kuptohet se ky i fundit është përdorur nga Olsi dhe Edi Rama.

Kjo duhet të hetohet edhe nga SPAK-u. Ku i gjeti paratë Sulaj, kur kompania e tij deklaron humbje? Kazinoja e ndodhur te Tajvani përflitet se është e Olsi Ramës. Kemi Edi Ramën që përdor një biznesmen për të lobuar në SHBA për interesa politike.

Për Olsi Ramën do të ketë hetime, e kam paralajmëruar dhe ky është rasti i parë. Duhet të kuptojmë se këto pagesa kanë filluar. E para është bërë më 25 mars 2026. Lobimi në SHBA bëhet për interesa politike, jo biznesi. Këtu duhet t’i qartësojmë të gjithë, për të treguar se pas tyre janë Olsi Rama dhe Edi Rama. Rama përdor lobimin për afrimin me administratën Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb