Irani nuk do të lejojë largimin e asnjë sasie uraniumi të pasuruar nga territori i tij, ndërsa ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se çdo sulm i ri ndaj Republikës Islamike do të pasohet me kundërpërgjigje ushtarake.
Deklarata është bërë nga zyrtari i lartë iranian i sigurisë Mohsen Rezaei, gjatë një interviste theksoi se Teherani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga rezervat e tij bërthamore.
“Asnjë grimcë e vetme e materialit bërthamor të pasuruar nuk do të largohet nga vendi”, u shpreh Rezaei, duke shtuar se Irani ka nevojë për këtë material për projektimin e anijeve dhe nëndetëseve që funksionojnë me energji bërthamore.
Ai bëri të ditur se edhe Moskës i është komunikuar se uraniumi do të qëndrojë në Iran dhe do të përdoret nga vetë vendi. Rusia ka ofruar më herët të marrë përsipër largimin e uraniumit iranian si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme me SHBA-në.
Rezaei paralajmëroi gjithashtu Uashingtonin se çdo sulm i ri do të ketë pasoja.
“Çdo sulm i ri amerikan do të pasohet gjithashtu me goditjen e bazave amerikane, edhe atyre që ndodhen larg”, deklaroi ai, duke shtuar se aktualisht nuk ka negociata mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Sipas Reuters Irani dispononte 440.9 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60% në kohën kur Izraeli dhe SHBA-ja goditën objektet bërthamore iraniane në qershor 2025. Sa nga kjo sasi ka mbijetuar pas sulmeve dhe ku ndodhet aktualisht, mbetet e paqartë.
Ndërkohë, Uashingtoni ka këmbëngulur se çështja bërthamore duhet të jetë pjesë e çdo negociate për përfundimin e konfliktit. Teherani, nga ana tjetër, ka paraqitur përmes Katarit një propozim për çështjen bërthamore, por ka kushtëzuar diskutimin e tij me plotësimin e shtatë kërkesave të paraqitura ndaj SHBA-së.



Komente
Komento