Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Shqipërisë të përshpejtojë procesin e reformës zgjedhore dhe të zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duke theksuar se avancimi drejt anëtarësimit në BE kërkon rezultate konkrete dhe angazhim më të madh institucional.
Gjatë një takimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën europiane, por nënvizoi se faza përmbyllëse e këtij procesi është më sfiduesja dhe kërkon përmbushjen e detyrimeve brenda një kohe më të shkurtër.
Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të mbështetur në debat politik dhe institucional. Për këtë qëllim, u evidentuan pesë çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje:
1-Parandalimi i përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale.
2-Garantimi i neutralitetit të administratës publike gjatë fushatave.
3-Transparenca dhe kontrolli mbi financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore.
4-Rritja e profesionalizmit të administratës zgjedhore.
5-Sigurimi i mundësive për të votuar për të gjithë qytetarët që aktualisht përballen me pengesa në ushtrimin e kësaj të drejte.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e KQZ-së bënë të ditur se rekomandimet me natyrë teknike janë adresuar, ndërsa realizimi i ndryshimeve që kërkojnë konsensus politik mbetet në përgjegjësinë e qeverisë dhe Kuvendit. Reforma zgjedhore mbetet një nga çështjet e rëndësishme në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa zbatimi i rekomandimeve ndërkombëtare shihet si një hap thelbësor për forcimin e besimit te proceset demokratike dhe zgjedhore.