Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) do të mbështetet për hartimin e një enciklopedie me tekste mbi konceptet historike të regjimit komunist, të cilat do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e teksteve shkollore.
Projekti u diskutua gjatë shqyrtimit të buxhetit të vitit 2027 në Komisionin për Kulturën, ku drejtuesi i institutit, Çelo Hoxha, kërkoi rreth 3.5 milionë lekë për realizimin e tij gjatë një periudhe dyvjeçare.
“Projekti tjetër ka të bëjë me një enciklopedi tekstesh për konceptet historike të regjimit komunist, që do të shërbejnë si bazë për hartimin e teksteve shkollore. Kërkojmë rreth 3 milionë e 500 mijë lekë për një projekt dyvjeçar”, deklaroi Hoxha.
Përtej kërkesës për financimin e projektit, drejtuesi i ISKK-së ngriti shqetësimin për statusin ligjor të institucionit. Sipas tij, mënyra se si trajtohet instituti në aspektin buxhetor nuk përputhet me statusin e tij si institucion i pavarur, i krijuar me ligj të veçantë.
“Çështja nuk është financiare, por ligjore. Çështja ligjore është detyrim normativ që buron nga respektimi i ligjit. Është çështje juridike që duhet zgjidhur. Instituti është institucion i pavarur, krijuar me ligj të veçantë dhe trajtohet si institucion qendror, përkufizimi i të cilit është në ligj për Këshillin e Ministrave. Ka mospërputhje, është shkelje ligjore, që duhet rregulluar”, u shpreh Hoxha.
Për këtë çështje, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, bëri të ditur se ka propozuar një projektligj për të garantuar zbatimin e standardeve që vlejnë për institucionet e pavarura. Ajo theksoi se nisma nuk synon sigurimin e fondeve shtesë nga buxheti i shtetit.
“Kam propozuar projektligjin në bazë të asaj që kemi diskutuar bashkë. Qeveria ka mbajtur një qëndrim që nuk ka sens logjik. Bëhet fjalë për momente që nuk lidhen për të marrë para ekstra nga buxheti i shtetit, por për të zbatuar standardin për gjithë institucionet e pavarura të republikës”, deklaroi Zhupa.
Sipas përfaqësueses së Ministrisë së Financave, buxheti i parashikuar për ISKK-në në vitin 2027 është 65.7 milionë lekë, rreth 4 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë, mbetet e pazgjidhur çështja e godinës. Instituti do të vijojë të funksionojë në ambiente me qira, pa një seli të përhershme ku të mund të krijohet edhe muzeu i krimeve të komunizmit.
Zhupa bëri me dije se për këtë problematikë do t’i drejtohen edhe Komisionit të Ekonomisë, ndërsa diskutimet për buxhetin do të vijojnë në procesin e shqyrtimit dhe miratimit nen për nen.
