Profesionistët e rinj të shëndetësisë do të mund t'i nënshtrohen drejtpërdrejt Provimit të Shtetit sapo të përfundojnë praktikën profesionale, pa kaluar më në procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë.

Ndryshimi është konfirmuar me hyrjen në fuqi të një akt i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit që u firmos nga ministret Mirela Kumbaro dhe Klodiana Spahiu. 

“Pas shumë diskutimeve, duke dëgjuar kërkesa të kahershme që na vijnë nga grupe interesi që kanë të bëjnë me profesionistët e rinj të shëndetësisë, të cilët para se t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit për të marrë licensën e profesionit, ishin të detyruar të kalonin provime të ndërmjetme që janë të panevojshme, një ngarkesë psikologjike, burokratike e ekonomike. Ndaj e dakordësuam sot dhe firmosëm urdhërin për t’i hequr këto ngarkesa të tepërt dhe lehtësuar punësimin” tha Mirela Kumbaro.

“Këto ndryshime rregullatorë bëjnë të mundur që këto profesionistë të rinj pasi kanë përfunduar praktikën profesionale nuk do të nënshtrohen më një një provim para provimit përfundimtar të shtetit. Farmacistët, infermierët, stomatologët e të gjithë profesionistët do të jenë të përgatitur për tregun e punës por do të theksojmë më tepër praktikën profesionale” tha Klodiana Spahiu.

Aktin e përshëndeti nga Parisi edhe kryeministri Edi Rama.

""Nga sot, përmes një akti të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, vjen një ndryshim i shumëpritur për profesionistët e shëndetësisë, i cili lehtëson fillimet e tyre në jetën profesionale, ku me përfundimin e praktikës profesionale, ata do të mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit, duke shmangur procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë.  Me këtë akt lehtësues, nga i cili përfitojnë edhe ata që e kanë përfunduar praktikën, por janë ende në pritje të procedurave të vlerësimit, synojmë të optimizojmë më tej mekanizmat e vlerësimit, duke u mbështetur në garantimin e cilësisë profesionale dhe shmangien e përsëritjeve proceduraleduke nxitur profesionistët e rinj që t’i bashkohen sistemit shëndetësor me integritet e motivim, të kontribuojnë më shpejt dhe me më shumë përgjegjësi në shërbim të qytetarëve" tha Rama.