Një botim që sjell dëshmi dhe fakte për vitet e para të diktaturës komuniste në Shkodër i është dhuruar Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, dega Shkodër, nga kryetarja e Këshillit të Qarkut, Marina Duhani.

Librat me titull “Shkodra në vitet e vendosjes së diktaturës komuniste 1945–1953” iu dorëzuan nënkryetarit të shoqatës, Filip Guraziu.

Botimi historik i Këshillit të Qarkut Shkodër dokumenton vendosjen e regjimit komunist, pasojat në jetën e qytetarëve dhe vuajtjet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe.

Gjatë takimit, Duhani theksoi se nisma synon të ruajë dhe të përcjellë kujtesën historike, në mënyrë që brezat e rinj të njihen me të kaluarën e qytetit.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Filip Guraziu, dhe kryetarja e Qarkut ndanë të njëjtin qëndrim për rëndësinë e dokumentimit të historisë dhe moslënies në harresë të viteve të diktaturës komuniste.