“Nuk jam unë”, Robert Duka mohon grabitjen e bankës në Komunën e Parisit
Gjykata e lë pas hekurave
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për 50-vjeçarin Robert Duka, i njohur edhe si Albert Duka, i dyshuar për grabitjen me armë të një banke në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku u morën rreth 60 mijë euro.
Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, Duka ka mohuar kategorikisht përfshirjen në ngjarje, duke deklaruar para gjykatës se nuk është ai personi që ka kryer grabitjen. Ai ka kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria, duke pretenduar se ato nuk provojnë autorësinë e tij.
50-vjeçari ka deklaruar gjithashtu se nuk ka qenë më parë i dënuar. Sa i përket automjetit të identifikuar në pamjet e kamerave të sigurisë, ai ka pretenduar se fakti që makina është evidentuar gjatë hetimeve nuk përbën provë se ka lidhje me grabitjen.
Megjithatë, pretendimet e tij nuk e kanë bindur gjykatën, e cila ka vendosur ta lërë në qeli, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
Si u krye grabitja në bankën e Komunës së Parisit?
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentet e grabitjes, ku autori shfaqet i veshur me rroba të zeza dhe me një skafandër në kokë, me qëllim fshehjen e identitetit.
Sapo hyn në ambientet e bankës, ai nxjerr një pistoletë dhe ia drejton një prej punonjësve, duke e kërcënuar për të realizuar grabitjen. Në të njëjtat pamje shfaqet edhe një qytetare, e cila largohet me vrap nga frika pas hyrjes së personit të armatosur.
Robert Duka u arrestua nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave”. Ai dyshohet për përfshirje në dy grabitje me armë të ndodhura në kryeqytet, më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026.
Gjatë kontrolleve, efektivët sekuestruan 8 200 euro, disa veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve, si dhe dy telefona celularë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, ka deklaruar se 50-vjeçari dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe në veprimtari të ngjashme kriminale në një shtet fqinj.
Sipas Policisë, identifikimi i tij u realizua përmes metodave speciale të hetimit, sistemeve teknologjike për identifikimin e personave të maskuar dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë grabitjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



