Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Robert Dukën, 50-vjeçarin e dyshuar për grabitjen me armë të një filiali të Raiffeisen Bank në zonën e Komunës së Parisit, më 2 nëntor.
Duka, i njohur edhe si Albert Duka, u arrestua më 9 nëntor. Ai dyshohet edhe për grabitjen e një filiali të OTP Bank më 2 qershor të këtij viti. Nga të dyja grabitjet dyshohet se ka marrë mbi 100 mijë euro.
Sipas raportimeve të mëparshme, 50-vjeçari ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se një pjesë të konsiderueshme të parave i ka humbur duke luajtur në kazino, ndërsa 6 mijë euro ua ka dhënë dy miqve në Vlorë për të shlyer borxhet.
Në momentin e arrestimit, policia i gjeti 8 200 euro. Bashkëshortja e tij ka deklaruar se paratë e gjetura në banesë ishin kursime familjare nga shitja e një apartamenti.
Robert Duka rezulton me të kaluar kriminale edhe në Greqi, ku në vitin 2010 u arrestua si pjesë e një grupi të akuzuar për 28 grabitje në supermarkete, me një vlerë të dyshuar prej 1.2 milionë eurosh.
Në vitin 2016 ai u arratis nga burgu i Tirinthës, ndërsa u arrestua sërish në vitin 2018. Një vit më vonë u lirua me kusht.
Sipas hetimeve të raportuara më herët, në të dyja grabitjet në Tiranë dyshohet se ka përdorur të njëjtën skemë: hynte i maskuar dhe i armatosur në bankë, merrte paratë dhe largohej me monopatinë elektrike, të cilën më pas e fuste në një automjet me qira.








Komente
Komento