Deputeti i PD-së Fatmir Mediu, i ftuar në emisionin Minuta e parë u pyet edhe për thirrjen e famshme në protestë “Rama në burg, Berisha në burg”.
Mediu deklaroi se nuk ka krahasim mes kreut demokrat Sali Berisha dhe kryeministrit Rama.
Sipas tij, Rama është ai që ka pushtet thuajse pa kufi sot, që ka ndërtuar shtet kryeministror dhe ka ngritur shtet të korruptuar, prandaj largimi i tij është i domosdoshëm.
“Për thirrjen ‘Rama në burg, Berisha në burg’, desha të them se Sali Berishën në burg e futi Edi Rama. Roli i Berishës është tek opozita për momentin, ndërsa roli i Ramës është i tillë, që ka në dorë shumë gjëra sot, sidomos që partia në pushtet ka kapur gjithçka. Duhet të ketë sot një bashkim të madh, që të largohet kjo qeveri e korruptuar. Kërkesa e parë duhet të jetë largimi i Ramës nga qeveria. Lufta nuk është që Fatmir Mediu të vijë në qeveri. Ne duhet të bashkohemi për qëllime të përbashkëta. Qëllimi i përbashkët është largimi i qeverisë. Kemi një qeverisje kryeministrore, ku nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet e ndershme përcaktohen nga listat e hapura. Duhet një reformë reale zgjedhore”, tha Mediu.
Më tej, Mediu komentoi edhe protestën e studentëve. Ai tha se politikanët duhet që të reflektojnë. Mediu shtoi se dhe ai vetë duhet që të reflektojë.
Deputeti demokrat vlerësoi se protesta tregon se qeverisja është e korruptuar, e padëshiruar e se duhet të largohet.
“Unë mbaj mend që në vitet 1990, unë kam qenë student dhe pedagogu im më thoshte se studentët janë ata, më të cilët nuk është e lehtë të përballesh. Studentët janë të varfër ndoshta ekonomikisht, por të pasur në mendje. Protesta duhet të bëjë politikën që të reflektojë, përfshirë dhe mua. Protesta tregon se qeverisja nuk është aty ku duhet të ishte, do të thotë se interesi kombëtar nuk vihet parësor e prandaj ajo duhet të ikë”, u shpreh Mediu.
