Bujqësia shqiptare pritet të përfitojë më shumë fonde gjatë vitit 2027, pasi projektbuxheti i vitit të ardhshëm parashikon rreth 18 miliardë lekë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Lajmi është bërë i ditur nga ministri Andis Salla, i cili ka prezantuar edhe sektorët ku do të përqendrohen investimet. Në krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2026, fondi i planifikuar për vitin 2027 është 10% më i lartë. Një pjesë e konsiderueshme e tij do të shkojë për zhvillimin rural, ku janë parashikuar 8.4 miliardë lekë.
Brenda këtij zëri, 5.3 miliardë lekë do të përdoren për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët. Ky fond shënon një rritje prej 100 milionë lekësh kundrejt buxhetit fillestar të skemës për vitin 2026. Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme lidhet me infrastrukturën bujqësore. Për sistemet e ujitjes, kullimin dhe mbrojtjen e tokave nga përmbytjet janë planifikuar 4.3 miliardë lekë, me një rritje prej 19.3% krahasuar me vitin aktual.
Ministri Andis Salla bëri të ditur se investimet do të vijojnë në rehabilitimin e kanaleve kulluese dhe ujitëse, modernizimin e hidrovoreve dhe mbrojtjen e tokave bujqësore.
“Për ujitje, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet kemi parashikuar 4.3 miliardë lekë ose 19.3% më shumë se në vitin 2026. Do të vijojmë investimet në rehabilitimin e kanaleve, modernizimin e hidrovoreve dhe mbrojtjen e tokave bujqësore me synimin për të përmirësuar ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet”, u shpreh Salla.
Edhe siguria ushqimore do të përfitojë financim më të lartë. Për këtë sektor janë parashikuar rreth 3 miliardë lekë, 3% më shumë se në vitin 2026. Synimi është forcimi i kontrolleve, përmirësimi i kapaciteteve laboratorike dhe garantimi i gjurmueshmërisë së produkteve, në mënyrë që konsumatorët të kenë më shumë siguri për ushqimet që blejnë.
Ndërkohë, peshkimi dhe akuakultura do të mbështeten me 727 milionë lekë, fond që sipas ministrit është 25% më i lartë. Investimet në këtë drejtim synojnë modernizimin e sektorit, shtimin e prodhimit dhe nxitjen e eksporteve.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu 872 milionë lekë për këshillimin dhe informacionin bujqësor. Në këtë kuadër, ministria synon të zhvillojë 16 paketa të përmirësuara teknologjike, për t’u ofruar fermerëve më shumë informacion, ekspertizë dhe mundësi për përdorimin e teknologjive të reja.
“Me 872 milionë lekë për këshillimin dhe informacionin bujqësor, synojmë të asistojmë fermerët dhe të zhvillohen 16 paketa teknologjike të përmirësuara për të sjellë inovacion dhe ekspertizën më pranë fermerëve. Njëkohësisht do të vijojmë dixhitalizimin e informacionit për tokën bujqësore, ndërsa do të forcojmë dhe kapacitetet institucionale për zbatimin e politikave dhe përmbushjen e detyrimeve të negociatave për Bashkimin Europian”, deklaroi ministri.
Salla e lidh rritjen e financimit edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se investimet duhet të ndihmojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së fermave shqiptare dhe përafrimin e prodhimit vendas me kërkesat e BE-së.
“Buxheti 2027 është një investim në të ardhmen europiane të bujqësisë shqiptare. Më shumë prodhim vendas, ferma më konkurruese, siguri ushqimore dhe hapa konkretë drejt përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian. Në kuadër të kapitujve 11, 12 dhe 13 të negociatave të anëtarësimit”, theksoi Salla.










