Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi që Qeveria Kurti t’i marrë seriozisht gjetjet e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit dhe të mbajë përgjegjësi për to. Ai i bëri këto komente gjatë seancës së jashtëzakonshme kushtuar raportit.
Tahiri nënvizoi se dokumenti nuk përfaqëson opozitën apo ndonjë subjekt politik, por është vlerësim institucional i përparimit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Ai tha se, përballë konstatimeve të raportit, ekzekutivi duhet të reflektojë dhe të marrë përgjegjësi, në vend që të justifikohet apo të përdorë propagandë.
“Raporti i Komisionit Evropian nuk u hartua për opozitën, PDK-në, LDK-në apo Aleancën dhe as për t’i shërbyer interesave të ndonjë partie. Ai vlerëson institucionalisht progresin e Republikës së Kosovës, prandaj duhet shqyrtuar me seriozitet dhe përgjegjësi.
Kur institucionet evropiane ngrenë shqetësime për demokracinë, drejtësinë, ekonominë dhe funksionimin institucional, një qeveri serioze duhet të reagojë me reflektim e përgjegjësi, jo me arsyetime dhe propagandë. Raporti përmban gjetje që duhet të na shqetësojnë të gjithëve.
Komisioni Evropian përmend zgjatjen e paralizës institucionale, dobësimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjen e kufizuar ndaj ekzekutivit. Këto nuk janë çështje thjesht teknike, por sinjale paralajmëruese për demokracinë tonë.
Një qeveri mund të ketë votat e nevojshme për të marrë vendime, por kjo nuk e autorizon ta trajtojë shtetin si pronë politike. Opozita nuk e pengon demokracinë. Kosovës nuk i duhen institucione që i shërbejnë pushtetit”, deklaroi Tahiri.







