
Deputeti i PD-së, Ivi Kaso ka komentuar mundësinë e mbështetjes së kandidaturës së Florian Binajt nga opozita për zgjedhjet në Tiranë. Për të në këtë fazë nuk mund të thuhet se cili do të jetë emri që do të marrë mbështetjen e opozitës, duke përmendur si alternativa të mundshme Florian Binajn, Ilir Alimehmetin apo kandidatë të tjerë.
Sipas tij, më e rëndësishme se emri i kandidatit është mënyra se si do të përzgjidhet ai. Kaso theksoi se të gjitha forcat opozitare duhet të ulen në një proces të përbashkët, transparent dhe me mendje të hapur, me synimin për të dalë me një kandidaturë që ka potencialin të marrë sa më shumë vota.
Deputeti rikujtoi gjithashtu se Florian Binaj ishte përmendur më herët si një emër i dakordësuar nga opozita për zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet, duke qenë, sipas tij, përpara në sondazhe. Kaso nënvizoi se vendimi nuk duhet të paraprihet nga emrat, por të jetë rezultat i një procesi bashkëpunimi mes të gjitha forcave opozitare.
”E kam dëgjuar deklaratën e z.Binaj, që ishte kandidat i dakordësuar nga opozita, kur flitej për zgjedhje të parakohshme, që nuk u mbajtën në atë moment fatkeqësisht, sepse Binaj ishte përpara në sondazhe dhe do të fitonte kryeqytetin. Unë sot nuk di të them se a do mbështetet Binaj, a do mbështetet Alimehmeti apo person tjetër.
E rëndësishme për mua dhe për PD sot është procesi. Palët opozitare të përfshihen në një proces, të bëhen bashkë, shkojmë me mendje të hapur, duke bashkëpunuar në një proces, që na çon në një kandidat, që mund të fitojë sa më shumë vota. Bëhet procesi dhe pastaj dilet me emër”,-tha Kaso.
