Një 19-vjeçar është arrestuar në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka vjedhur në dy raste shuma parash nga arka e një objekti kulti në lagjen Partizani. I riu kishte vetëm një javë që kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burg për vjedhje.
Policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e tij në kuadër të operacionit të koduar “Arka”, pas kallëzimit të administratorit të objektit të kultit, i cili raportoi se ishin konstatuar vjedhje parash në mbrëmjet e datave 8 dhe 9 nëntor.
I arrestuari është shtetasi K. Ll., 19 vjeç, banues në Gjirokastër.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore nëse i riu është autor edhe i vjedhjeve të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.










