Bashkimi Europian po ndërmerr hapa për të ulur varësinë nga kompanitë e huaja të teknologjisë dhe për të forcuar kontrollin mbi infrastrukturën e tij dixhitale. Eurodeputetët kërkojnë rregulla të përbashkëta europiane për shërbimet Cloud dhe inteligjencën artificiale (AI), si dhe më shumë mbështetje për kompanitë europiane që të rriten dhe të konkurrojnë në tregun global.

Një raport i përbashkët paraprak mbi propozimin e Komisionit Europian për Aktin e Zhvillimit të Cloud dhe Inteligjencës Artificiale (CADA) u prezantua të mërkurën në Parlamentin Europian. Nisma synon të forcojë infrastrukturën dixhitale të Europës, të rrisë konkurrueshmërinë ndërkombëtare dhe të reduktojë varësinë nga ofruesit e huaj të teknologjisë.

“Ky nuk është vetëm një çështje e konkurrueshmërisë ekonomike, por edhe e aftësisë sonë për të marrë vendimet tona”, deklaroi eurodeputeti konservator spanjoll Diego Solier gjatë një konference për shtyp.

Ai theksoi se sovraniteti teknologjik nuk nënkupton mbylljen e Europës ndaj pjesës tjetër të botës, por garantimin e aftësisë së saj për të vepruar, konkurruar dhe zgjedhur në mënyrë të pavarur.

Nisma vjen në një kohë kur BE-ja po shton përpjekjet për të reduktuar varësinë nga vendet e tjera në sektorët strategjikë, përfshirë shërbimet kritike, infrastrukturën, materialet dhe sigurinë.

Shqetësimet janë shtuar veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, pasi liderët europianë kanë ngritur pikëpyetje mbi besueshmërinë e marrëdhënieve me SHBA-në dhe varësinë e kontinentit nga produktet dhe shërbimet amerikane, veçanërisht ato të kompanive të mëdha të teknologjisë.

Në qershor të këtij viti, Trump urdhëroi kompaninë Anthropic të bllokonte aksesin nga jashtë SHBA-së në modelet e saj të inteligjencës artificiale Claude Fable 5 dhe Mythos 5, duke iu referuar shqetësimeve të sigurisë. Aksesi u rikthye më vonë gjatë të njëjtit muaj, por diskutimet mbi të ashtuquajturit mekanizma “Kill Switch”, përmes të cilëve qeveria amerikane dhe kompanitë teknologjike mund të ndërpresin shërbime kritike për infrastrukturën civile dhe ushtarake europiane, u intensifikuan.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb