Arsyetimi i Gjykatës për mbylljen e seancës fillestare ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Në Gjykatën Themelore në Pejë të enjten (12 nëntor) pritet të nisë gjykimi ndaj Jeton Sylajt për kanosjen e ish-bashkëshortes Arlinda Zekaj, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit 2026 në Vitomiricë të Pejës, pak pasi kishte raportuar në Polici rastin për dhunë të ushtruar nga ish-bashkëshorti. Dorasi i vrasjes, dyshohet se është kunati i saj- Albert Sylaj.
Gjykata ka marrë aktvendim që shqyrtimi fillestar të mbahet i mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, seanca u vendos të mbyllet me kërkesë të Prokurorisë, me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve tjerë në procedurë.
“MBYLLET për publikun: Shqyrtimi fillestar i datës 12.11.2026, në çështjen e lartcekur penale me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare e të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve tjerë në procedurë”, thuhet në aktvendimin e 10 nëntorit 2026, të marrë nga gjyqtarja Selvije Morina-Zejnaj.
Prokuroria kishte kërkuar që seanca të mbyllet, e në rast se Gjykata nuk e vlerëson të domosdoshme mbylljen e plotë të seancës, të përjashtohej publiku kur lexohen procesverbalet e marrjes në pyetje të palës së dëmtuar, të pandehurit, raportet e bashkëbisedimeve me fëmijën, raporti informues dhe ai psikologjik dhe kur të dëgjohen video-incizimet.
Mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtja e të pandehurit ishin pajtuar me propozimin e Prokurorisë, andaj Gjykata erdhi në përfundim se kërkesa e Prokurorisë për mbylljen e seancës, është e bazuar.
Sipas vendimit, Gjykata ka marrë për bazë faktin se vepra penale “Kanosja” dyshohet se është kryer në kuadër të marrëdhënieve familjare dhe ndaj një anëtari të familjes. Andaj, gjatë gjykimit pritet të trajtohen rrethana që ndërlidhen me jetën personale dhe familjare të të pandehurit dhe familjarëve të tyre.
“Po ashtu, nga përmbajtja e provave të propozuara për administrim rezulton se një pjesë e tyre përmbajnë të dhëna të ndjeshme lidhur me marrëdhëniet brenda familjes, deklarimet personale të personave të përfshirë në procedurë si dhe informacione që kanë të bëjnë me fëmijën e mitur”, thuhet në aktvendim.
Sipas Gjykatës, ekspozimi i çështjeve që i përkasin sferës private dhe familjare të personave të përfshirë në procedurë, do të cenonte privatësinë, dinjitetin dhe interesat personale e familjare të tyre, sidomos duke marrë parasysh përfshirjen e një fëmije të mitur në çështjen penale.
Sipas vendimit, Gjykata në këtë rast i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe interesit më të mirë të fëmijës së mitur, duke vlerësuar se mbrojtja e identitetit, privatësisë dhe mirëqenies së tij duhet të jetë me konsideratë të veçantë gjatë zhvillimit të procedurës.
Gjykata ka vlerësuar se përjashtimi i publikut është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, pasi ekziston interesi konkret dhe legjitim për mbrojtjen e jetës personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve tjerë në procedurë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë më 23 tetor 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton Sylajt, ku akuzohet se kanosi me vrasje ish-bashkëshorten.
Sipas aktakuzës, në muajin dhjetor 2025, në kohë të pacaktuar, në fshatin Vitomiricë të Pejës, brenda marrëdhënies familjare, seriozisht kanos të dëmtuarën- tani të ndjerën. Ai thuhet se kërkoi që Zekaj të largohet nga shtëpia, dhe përmes telefonit i drejtohet me fjalët “kam me të mbyt, kam me të ngre zhag, as ushtria ska me mujt me të hek nga dora ime, k**v, k**ër”, rrugaqe, ki me flejtë në sokak, ski me pa fjalin nëse jam gjallë une, 900 nona ti q* të djegi me teme“. Me çka, të dëmtuarës i shkaktoi frikë dhe ankth.
Me këto veprime, Jeton Sylaj akuzohet se kreu veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.
Prokuroria bën të ditur se më 20 korrik 2026, Stacioni Policor në Pejë kishte pranuar kallëzim penal kundër Jeton Sylajt, nën dyshimin për “Kanosje”.
Sipas Prokurorisë, tani e ndjera Arlinda Zekaj kishte deklaruar se gjatë martesës 11-vjeçare me tani të akuzuarin Jeton Sylaj, gjatë gjithë kohës ka qenë viktimë e dhunës psikike e fizike nga i pandehuri.
Prokuroria: I pandehuri ushtroi dhunë ndaj viktimës, e kërcënoi dhe e detyroi të marrë kredi
Viktima kishte deklaruar se për një kohë të gjatë kanë jetuar në Amerikë, e më 2024 së bashku me djalin 12-vjeç janë kthyer në Kosovë, ku kanë ndërtuar shtëpi, ndërsa Sylaj ka udhëtuar shpesh në relacionin Kosovë-Amerikë.
“Viktima thotë se ka qenë e detyruar të marrë kredi me vlerë rreth 9 mijë euro për nevojat e Jetonit, kurse i njëjti e kishte telefonuar me telefon dhe i ka thënë të del nga shtëpia dhe e ka kërcënuar dhe ofenduar gjatë gjithë kohës me fjalët ‘kam me të mbyt, kam me të ngreh zhag, as ushtria ska me mujt me të hek nga dora ime”, po ashtu i është drejtuar me fjalët “k***, k****, rrugaqe ki me flejtë në sokak, ski me pa djalin nëse jam gjallë’”, thuhet në aktakuzë.
Më tej, në aktakuzë thuhet se viktima kishte thënë se pavarësisht të gjithave, e ka lejuar djalin të vizitojë familjen e burrit, por se nga 20 qershori 2026, djali kishte shkuar tek familja e burrit dhe më nuk kishte dëgjuar asgjë për të, duke e bllokuar në numër e në rrjete sociale. Sipas viktimës, djali këtë e ka bërë nën presionin e babait- Sylajt.
“Viktima deklaroi që ndihet e rrezikuar nga bashkëshorti i saj dhe dëshiron që fëmija të kthehet te ajo”, thuhet më tej në aktakuzë.
Në anën tjetër, thuhet se djali i mitur në prezencën e punëtorit të Qendrës për Punë Sociale ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë tek mixhallarët (familja e babait) sepse aty ndihet më i sigurt dhe se tek familja e nënës nuk ka pasur siguri dhe ka pasur ngacmime nga moshatarët e tij në atë familje.
Aktakuza thotë se në deklaratën e dhënë në Polici, Arlinda Zekaj kishte thënë se është martuar tash e 13 vjet me Jeton Sylajn, dhe se për 11 vite sa kanë qëndruar në Amerikë, ai ka ushtruar dhunë ndaj saj, dhunë të cilën e ka raportuar edhe atje.
Kur ishin kthyer në shtëpi me djalin më 2024, viktima kishte thënë se ndërtuan një shtëpi së bashku në Vitomiricë. Ka thënë se Sylaj punonte në Amerikë, dhe se udhëtonte kohë pas kohe.
“Jetoni më ka detyruar që unë të hy në kredi dhe unë kam marrë kredi 9 (nëntë) mijë euro dhe qe dy vite jemi duke jetuar, Jetoni ushtronte ndaj meje dhunë psiqike. Tutje deklaron se në muajin Dhjetor të vitit 2025 Jetoni më ka telefonuar dhe më ka thënë dil nga shtëpia se ti ski çka lypë aty. Ndërsa unë i kam thënë se ne e kemi ndërtuar shtëpinë së bashku…”, citohet se deklaroi Zekaj, e cila ka shtuar se më pas Sylaj e kërcënoi dhe fyu, duke i shkaktuar edhe djalit dhunë psikoligjike.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Arlinda Zekaj kishte deklaruar se u detyrua të largohet nga shtëpia dhe mori djalin.
Prokuroria: Jeton Sylaj ia hodhi viktimës rrobat në oborr e ia dogji
“…i ka marr të gjitha rrobat e mija dhe i ka qitur në oborr i ka kall të gjitha ku edhe ka bërë video duke i kall rrobat e mija dhe atë video ma ka dërguar mua, të cilën edhe unë e kam ruajtur dhe me dëshirë e deponoj në polici me vetëdëshirë si provë”, citohet se deklaroi tani e ndjera Zekaj.
Po ashtu, viktima kishte deklaruar se edhe pse ishte detyruar të shkonte tek familja, djalin nuk e ka ndalë të shkonte tek familja e burrit.
“Por, që nga data 20.06.2026 djali ka shkuar tek gjyshja dhe mixhallarët, më ka bllokuar në telefon dhe nuk dëshiron që të vijë të jetojë me mua. Dhe për këtë unë jam e sigurt se Jetoni po e detyron që të qëndrojë te gjyshja në Deçan dhe të mos vijë të jetojë me mua, unë kërkoj nga Policia që të ma kthejë djalin të jetoj me mua”, citohet se deklaroi tani e ndjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, arsyeja përse nuk e lajmëroi rastin në dhjetor 2025, kur tani i akuzuari Jeton Sylaj e detyroi të largohet nga shtëpia, ishte se shpresonte se do të ndryshojë se i dhimbset djali.
Gjithmonë sipas aktakuzës, tani e ndjera ka deklaruar se Sylaj posedon armë me leje, por që nuk e ka kërcënuar asnjëherë me të. Ka thënë se s’e di ku është arma, por se ndjehet shumë e rrezikuar nga Sylaj.
Aty kishte theksuar se pas asaj deklarate, dëshiron të shkojë tek familja e saj në Radavc bashkë me djalin.
E më 13 korrik 2026, në deklaratën tjetër në Polici, Zekaj kishte thënë se kur ka shkuar në shtëpinë e saj në Vitomiricë, e pa djalin e saj bashkë me disa të mitur, e që vlerësoi se lënia e tij në atë mënyrë pa përkujdesje, ishte shkelje ligjore nga babai dhe axha i fëmijës. Ka thënë se e ka informuar edhe ambasadën amerikane.
Në aktakuzë thuhet se më 20 qershor, axha kishte shkuar ta marrë fëmijën tek vendi i punës së saj, e që ajo e kishte lejuar ngase nuk e ka ndalë asnjëherë.
Në anën tjetër, i akuzuari Jeton Sylaj ishte mbrojtur në heshtje në Polici më 14 korrik 2026. Në një video-incizim, thuhet se dëgjohet i akuzuari duke thënë se djali do të qëndrojë ku të dëshiron vetë, duke e sharë viktimën e duke i thënë të mos i bëjë presion djalit.
Jeton Sylaj në Prokurori: Arlindës i dhashë shumë shansa, por ajo nuk përmirësohet
Aktakuza thotë se Jeton Sylaj më 23 korrik 2026 u paraqit në Prokurori, ku deklaroi se me tani të ndjerën janë ndarë tash e 1 vit, por që nuk janë ndarë me letra.
“… arsyeja kryesore është se unë i kam dhënë shumë shansa por ajo nuk përmirësohet”, citohet se deklaroi Sylaj.
Sipas tij, viktima më shumë ka ndenjur tek familja e saj, e që sipas saj, qëllimin e ka tek paratë e tij.
Prokuroria: E pranoi kanosjen, por tha se e bëri ngase djali ishte ndjerë i rrezikuar
Në aktakuzë thuhet se Jeton Sylaj pranoi se e ka kanosur me fjalët “kom met mbyt, kom met ngre zhag”, por që i ka thënë sepse djali është ndjerë i rrezikuar, sepse sipas tij, nëna e gënjeu e shkoi në Deçan, dhe se djali ndjehet i frikësuar nga ajo dhe familjarët e saj. Tha se djali vetë nuk dëshiron të shkojë tek nëna.
“Arlinda nuk duhet të ndjehet e rrezikuar nga unë në asnjë mënyrë, mirëpo në qoftë se rrezikohet djali im ajo është rrethanë tjetër”, citohet se deklaroi i akuzuari, duke shtuar se djali vetë nuk dëshiron të flasë me të ëmën.
Ai kishte deklaruar po ashtu se tani e ndjera ia ka marrë pasaportën e Kosovës.
Prokuroria: Jeton Sylaj në Polici tha se djali po kërkon urdhër mbrojtës prej nënës- fëmija s’e kuptonte çka është urdhri mbrojtës
E më 27 korrik 2026, Jeton Sylaj thuhet se u paraqit në Polici bashkë me djalin, ku deklaroi se ky i fundit dëshiron urdhër mbrojtës prej nënës së tij. Aty thuhet se arsyen për këtë, fëmija e ka dhënë me atë që nuk dëshiron të ketë kontakt me nënën e tij sepse po i bën presion.
Në aktakuzë thuhet se fëmija nuk e kupton saktë se çfarë nënkupton urdhër mbrojtës, por e kërkon atë.
Në anën tjetër, thuhet se dëmtuara më 22 korrik 2026 iu drejtua Kryeprokurores me kërkesë për lirimin e pronës nga i pandehuri dhe kthimin e saj me fëmijën në shtëpinë e përbashkët deri në përpjesëtimin përfundimtar të pasurisë dhe caktimin përfundimtar të kujdestarisë.
E më 28 shtator 2026, iu drejtua koordinatores së dhunës në familje, me kërkesë që të hapet dera, të kthehen në atë vendbanim të tyre deri në vendosjen përfundimtare për fëmiun dhe pasurinë, duke kërkuar me urgjencë të hyjnë në shtëpi sipas vendimit të gjykatës.
Këto dy ankesa, thuhet se meqenëse kishin të bënin me kontest civil, iu bashkëngjitën shkresave të lëndës. /BetimipërDrejtësi/

































