
Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të mërkure në fshatin Fshat, në Bashkinë e Klosit, në segmentin që lidh Matin me Rrugën e Arbrit. Dy automjete, një Mercedes-Benz dhe një Volkswagen Sharan, janë përplasur kokë më kokë, vetëm pak metra larg rrethrrotullimit të Rrugës së Arbrit.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në të dyja automjetet, të cilat kanë përfunduar pothuajse të shkatërruara. Si pasojë, disa persona kanë mbetur të lënduar, por paraprakisht raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Dyshimet paraprake janë se lagështia në rrugë mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjeteve.
Ky segment rrugor është kthyer në shqetësim për drejtuesit e mjeteve. Sipas raportimeve, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar të paktën gjashtë aksidente në këtë aks, fatmirësisht pa pasoja fatale.
Problematika është ngritur vazhdimisht që prej ndërtimit të rrugës. Sipas ekspertëve, një nga faktorët që mund të ndikojë në përsëritjen e aksidenteve është sipërfaqja e asfaltit, e cila bëhet veçanërisht e rrëshqitshme gjatë reshjeve të shiut.