Partia Demokratike ka ngritur akuza të reja lidhur me aferën e AKSHI-t, duke pretenduar se qindra mijëra euro të përfituara nga fondet publike janë transferuar drejt kompanive në Gjermani, të lidhura me vëllezërit e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti i PD-së, Klevis Balliu, pretendoi se në dy transferta janë dërguar 500 mijë euro drejt një kompanie ku punon njëri prej vëllezërve të Hysenit, ndërsa 450 mijë euro të tjera ishin nisur drejt një kompanie tjetër gjermane, të përfaqësuar nga vëllai tjetër, por transferta ishte anuluar.
Sipas Balliut, në total bëhet fjalë për 950 mijë euro të destinuara drejt kompanive të lidhura me familjen e Hysenit. Ai pretendon se gjurma e parave nis nga tenderat e AKSHI-t, kalon përmes kompanive të lidhura me biznesmenin Ergys Agasi dhe përfundon te kompanitë gjermane.
Deklarata e plotë e Klevis Balliut:
“Afera e AKSHI-t, një nga më skandalozet në vjedhje dhe më brutalet në ilegjitimitet, po rezulton ndër të tjera edhe një skemë e transferimit të parave publike përmes kompanive të ndërmjetme. Një rast i tillë e çon skemën në Gjermani, te kompani të lidhura me vëllezërit e Vlora Hysenit, ish-drejtoreshës së SHISH-it.
500 mijë euro janë transferuar, në dy këste, drejt një kompanie ku punon vëllai i Vlora Hysenit. Ndërkohë, 450 mijë euro të tjera janë nisur drejt një kompanie tjetër gjermane, të përfaqësuar nga vëllai tjetër i saj, por transferta është anuluar.
Në total, 950 mijë euro të destinuara drejt kompanive të lidhura me familjen e Vlora Hysenit!
Kjo është gjurma e parave: nga tenderat e AKSHI-t, te kompanitë e lidhura me Ergys Agasin dhe më pas drejt kompanive në Gjermani të lidhura me vëllezërit e Vlora Hysenit.
Dhe ndërkohë që dalin fakte të reja, Vlora Hyseni vazhdon të qëndrojë në arrest shtëpie, në vend që të mbahet në arrest me burg!
Kjo nuk është thjesht një aferë korrupsioni. Kjo është dëshmi e rënies së shtetit!
Kur Shërbimi Informativ i Shtetit vihet në shërbim të krimit, kur asetet kryesore të sigurisë kombëtare dalin në bursën e zezë të lidhjeve kriminale, kur institucionet kthehen në instrumente në shtratin e krimit, dhe kur paratë e taksave u vidhen qytetarëve përmes mekanizmave të shtetit, atëherë nuk kemi shtet, por organizatë kriminale.
Partia Demokratike dhe Sali Berisha i kanë denoncuar prej vitesh aferat e Vlora Hysenit dhe lidhjet e saj me Ergys Agasin. Edi Rama i mohonte dhe i relativizonte. Sot faktet na japin të drejtë!
Rama i mbronte atëherë dhe i mbron edhe sot, sepse në qendër të këtij mekanizmi qëndron vetë. Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni nuk mund të vepronin jashtë sistemit që drejton Edi Rama.
Partia Demokratike kërkon me forcë që ligji i SPAK të mos shohë nga Maliqi i qeverisë. Po bëhen disa raste kur dosje voluminoze me fakte dhe prova, shpërfillen dhe kriminelët ‘shkojnë me leje’ me firmën e Prokurorisë Speciale.
Ky standard i dyfishtë është alarmant.
Ajo që studentët dhe protestuesit kërkojnë prej disa muajsh është çka Partia Demokratike mbështet dhe kërkon me forcë: një qeveri tranzitore, e cila të garantojë çlirimin e institucioneve, rikthimin e sigurisë kombëtare dhe organizimin e zgjedhjeve të lira.”
Shënim: Pretendimet e mësipërme janë pjesë e deklaratës së Partisë Demokratike dhe nuk përbëjnë fakte të konfirmuara në mënyrë të pavarur.
