Një 44-vjeçar shqiptar, i dënuar me 22 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër dhe i akuzuar për një tjetër vrasje të dyfishtë në Greqi, është arrestuar nga autoritetet greke. Bëhet fjalë për Zef Preldakajn, alias Fran Preldakaj, i cili në Greqi përdorte identitetin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen. Identifikimi i tij u bë falë ekspertimit të të dhënave biometrike nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi është rezultat i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Interpol Tiranës, Institutit të Policisë Shkencore dhe Policisë greke, përmes koordinimit me homologët e Interpol Athinës. Preldakaj është dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Shkodrës me 22 vite burg për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, kryer në bashkëpunim.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2002, në fshatin Shtoj i Vjetër në Shkodër. Sipas hetimeve, Preldakaj dhe dy shtetas të tjerë kishin shkuar në subjektin e dy vëllezërve me qëllim grabitjen e xhiros ditore. Gjatë tentativës së njërit prej vëllezërve për t’i marrë armën njërit prej autorëve, njëri nga bashkëpunëtorët e Preldakajt ka qëlluar me armë drejt tyre, duke i lënë të dy të vdekur në vendngjarje. Nga hetimet është provuar se Preldakaj kishte qëndruar te dera e subjektit për të mbuluar dhe siguruar veprimet e dy personave të tjerë. Pas krimit, ai ishte larguar së bashku me ta.

Por 44-vjeçari është i dyshuar edhe për një tjetër krim të rëndë në Greqi. Në vitin 2020, autoritetet greke e akuzuan për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve u gjetën brenda një automjeti në Korinth. Përveç këtyre akuzave, ai rezulton me precedentë penalë në Greqi edhe për grabitje me armë dhe shkelje të legjislacionit për armët në vitin 2014, shkelje të ligjit për lojërat e fatit në vitin 2013, si dhe posedim të lëndëve narkotike në vitin 2005. Policia bën me dije se identifikimi i tij me gjeneralitetet e sakta u mundësua nga analizimi i të dhënave biometrike, ndërsa Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet greke për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale dhe përgatitjen e dokumentacionit për ekstradimin në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: