Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka ngritur akuza të reja lidhur me aferën e AKSHI-t, duke theksuar se 950 mijë euro nga fondet publike janë transferuar ose tentuar të transferohen drejt dy kompanive në Gjermani, të lidhura me vëllezërit e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Balliu kërkon hetim të plotë dhe zbatimin e barabartë të ligjit nga SPAK.
DEKLARATA E PLOTE
Afera e AKSHI-t, një nga skandalet më të mëdha për nga përmasat e vjedhjes dhe brutaliteti i paligjshmërisë, po rezulton, ndër të tjera, edhe një skemë për transferimin e parave publike përmes kompanive ndërmjetëse. Një rast i tillë e çon këtë skemë deri në Gjermani, te kompani të lidhura me vëllezërit e Vlora Hysenit, ish-drejtoreshës së SHISH-it.
500 mijë euro janë transferuar në dy këste drejt një kompanie ku punon vëllai i Vlora Hysenit. Ndërkohë, 450 mijë euro të tjera janë nisur drejt një kompanie tjetër gjermane, të përfaqësuar nga vëllai tjetër i saj, por kjo transfertë është anuluar.
Në total, bëhet fjalë për 950 mijë euro të destinuara drejt kompanive të lidhura me familjen e Vlora Hysenit!
Kjo është gjurma e parave: nga tenderat e AKSHI-t, te kompanitë e lidhura me Ergys Agasin dhe më pas drejt kompanive në Gjermani, të lidhura me vëllezërit e Vlora Hysenit.
Dhe ndërkohë që dalin fakte të reja, Vlora Hyseni vazhdon të qëndrojë në arrest shtëpie, në vend që të mbahet në arrest me burg!
Kjo nuk është thjesht një aferë korrupsioni. Kjo është dëshmi e rënies së shtetit!
Kur Shërbimi Informativ i Shtetit vihet në shërbim të krimit, kur asetet kryesore të sigurisë kombëtare nxirren në tregun e zi të lidhjeve kriminale, kur institucionet kthehen në instrumente në duart e krimit dhe kur paratë e taksave u vidhen qytetarëve përmes mekanizmave shtetërorë, atëherë nuk kemi të bëjmë me një shtet, por me një organizatë kriminale.
Partia Demokratike dhe Sali Berisha i kanë denoncuar prej vitesh aferat e Vlora Hysenit dhe lidhjet e saj me Ergys Agasin. Edi Rama i mohonte dhe i relativizonte këto akuza. Sot, faktet na japin të drejtë!
Rama i mbronte atëherë dhe i mbron edhe sot, sepse në qendër të këtij mekanizmi qëndron vetë ai. Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni nuk mund të vepronin jashtë sistemit që drejton Edi Rama.
Partia Demokratike kërkon me forcë që ligji dhe drejtësia e SPAK-ut të mos bëjnë dallime në zbatimin e tij në favor të njerëzve të pushtetit. Po përsëriten rastet kur dosje voluminoze, të mbështetura në fakte dhe prova, shpërfillen dhe kriminelët “shkojnë me leje”, me firmën e Prokurorisë së Posaçme.
Ky standard i dyfishtë është alarmant.
Ajo që studentët dhe protestuesit kërkojnë prej disa muajsh është pikërisht ajo që Partia Demokratike mbështet dhe kërkon me forcë: një qeveri tranzitore, e cila të garantojë çlirimin e institucioneve, rikthimin e sigurisë kombëtare dhe organizimin e zgjedhjeve të lira.
© SYRI.net