Nga Mentor Kikia
Prokuroria po heton për korrupsion zgjedhor “një rast” në bashkinë Peqin.
Në një njësi administrative, brenda dy muajsh, para zgjedhjeve të 2025, ishin shtuar në listën e ndihmën ekonomike 210 familje.
Ja mesazhi i një kryefamiljari gjetur në telefonin e administratorit të njësisë:
“Nuk më ka kaluar ndihma ekonomike për qershorin, as asistenca. Unë ju respektova, votën jua dhashë”, i shkruan B.Gj (sipas dosjes së prokurorisë).
Vetëm në një njësi janë shtuar 210 familje, shumëzuar me 2-3 vota, më e pakta, u bënë rreth 600 vota.
Ky është vetëm një aspekt “periferik” i përdorimit të pushtetit nga partia në pushtet për të vijuar mbajtjen e pushtetit.
Po punësimet me kontrata të përkohshme?
Po “zgjidhja e halleve” të tjera si legalizimet, vonesa në marrje shërbimesh, letra pensionesh, dokumenta tokash, dyqanesh, amnisti detyrimesh të prapambetura… të gjitha këto shndërrohen në vota.
Pastaj vjen “furia”, një bonus për pensionistët, ushtrinë më të madhe të votuesve.
Nuk ka alternativë politike, nuk ka program, nuk ka “listë studentore” apo intelektuale që i del perpara shqiptarit që i japin ndihmë ekonomike pa meritë, apo pensionistit që merr 50 Euro tri javë para zgjedhjeve.
Ndaj zgjidhja e vetme për të frenuar pazarin me votën, është qeveria tranzitore.
Partisë në pushtet i duhet hequr pushteti 3-4 muaj para zgjedhjeve, duke ndaluar çdo matrapazllëk në këmbim të votës, çdo shpërblim apo bamirësi qeveritare, që shitet si lëmozhë elektorale.
Ndaj mos u lodhni kot me ligj e reforma elektorale.
I duhen “prerë duart” pushtetit që të dalë në pazarin e madh të blejë vota me plaçkën e shtetit.






