Shërbimet e Kadastrës me procedurë të përshpejtuar, si të aplikoni dhe sa kushtojnë. Qytetarët që kanë nevojë të marrin më shpejt një shërbim nga Kadastra (ASHK) mund të zgjedhin procedurën e përshpejtuar, të njohur si FAST. Për këtë shërbim duhet të paguajnë një tarifë shtesë, e cila varion nga 2,000 deri në 10,000 lekë, në varësi të dokumentit apo shërbimit të kërkuar.
ASHK ka sqaruar mënyrën e aplikimit, duke theksuar se jo të gjitha shërbimet kadastrale mund të përfitohen përmes kësaj procedure. Përpara aplikimit, qytetarët duhet të kontrollojnë nëse shërbimi që u nevojitet është përfshirë në listën FAST.
Si të aplikoni për shërbimin e përshpejtuar?
Aplikimi kryhet duke ndjekur procedurën e zakonshme, por me një ndryshim të rëndësishëm gjatë përzgjedhjes së shërbimit. Në hapësirën ku shfaqet shërbimi i përzgjedhur, qytetarët duhet të klikojnë fillimisht opsionin “Fshi”, për të hequr shërbimin e paracaktuar.
Më pas duhet ta kërkojnë përsëri të njëjtin shërbim, por duke vendosur përpara emërtimit parashtesën “PP-”. Kjo mundëson përzgjedhjen e variantit me procedurë të përshpejtuar.
Pas këtij veprimi, aplikimi vijon me plotësimin e të dhënave dhe kryerjen e pagesës përkatëse.
Sa kushton shërbimi FAST?
Sipas Kadastrës, tarifat shtesë janë 2,000, 5,000, 8,000 ose 10,000 lekë, në varësi të shërbimit të kërkuar.
Këto shuma nuk zëvendësojnë tarifën normale të shërbimit, por i shtohen asaj. Pra, qytetari duhet të paguajë si tarifën bazë, ashtu edhe tarifën për përshpejtimin e procedurës.
Për të shmangur pagesat e panevojshme ose aplikimet e pasakta, ASHK u rekomandon qytetarëve të kontrollojnë paraprakisht listën e shërbimeve FAST dhe tarifat përkatëse, të publikuara në faqen zyrtare të institucionit.
Procedura e përshpejtuar është një mundësi për ata që kanë nevojë të marrin dokumentacionin kadastral në një kohë më të shkurtër, kundrejt një pagese shtesë. Saranda Web