Një vjedhje ka përfunduar në mënyrë të pazakontë në provincën e Arezzos, në Itali, ku një 42-vjeçar është arrestuar nga karabinierët, pasi hyri në një banesë për të vjedhur, por më pas vendosi të kalonte natën duke fjetur në krevatin e pronarëve.
Ngjarja ndodhi natën mes 3 dhe 4 nëntorit, në komunën Pratovecchio Stia. Shtetasi rumun dyshohet se kishte thyer hyrjen e një shtëpie pushimi, ku nuk ndodheshin pronarët, dhe kishte marrë disa sende me vlerë të vogël.
Por, në vend që të largohej me shpejtësi, 42-vjeçari zgjodhi të rehatohej në një nga krevatet e banesës dhe e zuri gjumi! Lëvizjet e dyshimta kishin tërhequr vëmendjen e një fqinje, e cila njoftoi policinë. Kur karabinierët mbërritën dhe hynë në shtëpi, gjetën të dyshuarin në gjumë të thellë. Ata e zgjuan dhe e arrestuan në vend.
Sipas mediave italiane, burri kishte shkuar në zonë për të punuar në sektorin e ndërtimit dhe dyshohet se fillimisht kishte kërkuar një vend për të kaluar natën.

