
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së. Gjatë një konference për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Balla deklaroi se Veliaj është miku i tij, por theksoi se përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë individualisht.
“Është pyetje që i duhet bërë Sekretarit të Përgjithshëm. Unë mendoj që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së janë çështje individuale. Asnjë forum në PS nuk është mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se Partia Socialiste është kundër masës së paraburgimit kur një person ndodhet ende në fazën e hetimeve dhe akuzat ndaj tij nuk janë provuar.
Në të njëjtën dalje për mediat, Balla i bëri thirrje Partisë Demokratike të heqë dorë nga bojkoti i Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe të rikthehet në tryezën e diskutimeve. Ai prezantoi katër çështjet ku, sipas tij, duhet të përqendrohet puna për reformën.
Së pari, Balla kërkoi depolitizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmes formulës 3-1-3, ku tre anëtarë të mos vijnë nga propozimet politike, ndërsa të tjerët të përfaqësojnë partitë.
Një tjetër çështje është mbulimi i fushatave elektorale nga mediat, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së. Pika e tretë lidhet me përfshirjen e administratës publike në zgjedhje. Për këtë çështje, Balla paralajmëroi se, nëse nuk arrihet dakordësi për zgjidhjen përmes ndryshimeve ligjore, qeveria mund të ndërhyjë me akte nënligjore dhe udhëzime.
Shtylla e katërt është financimi i partive politike. Sipas Ballës, Partia Socialiste ka përgatitur një draft që është thuajse gati, ndërsa për hartimin e tij do të merren parasysh edhe praktikat e vendeve me kushte të ngjashme me Shqipërinë.
Gjatë deklaratës, kreu i grupit parlamentar socialist kritikoi edhe sjelljen e disa deputetëve të opozitës në seancat parlamentare, duke iu referuar përdorimit të flakadanëve dhe hedhjes së bidonëve me ujë në drejtim të drejtuesit të seancës.
Balla i kërkoi opozitës të reflektojë dhe të marrë pjesë në seancën e ardhshme parlamentare për buxhetin.
“Thirrja ime për PD-në është të heqin dorë nga bojkoti. Nuk flas për deputetë vandalë, por për deputetë normalë të PD-së. Ditën kur vjen në Kuvend, nxjerr nga xhepi flakadanë, qëllon me bidon drejtuesin e seancës. Në çdo parlament këto janë rregullat. Thirrje PD-së dhe opozitës që të reflektojnë. Mundësia e radhës është seanca për buxhetin. Buxheti më i madh në histori e meriton respektin që të jenë aty”, deklaroi Balla.