Konflikt fizik mes tre të rinjve në Vlorë, mollë sherri një vend parkimi 

11/11/2026 11:28

Një konflikt fizik mes tre të rinjve është regjistruar paraditen e sotme në lagjen “Lef Sallata” në Vlorë, për shkak të një vendi parkimi. 

Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 10:35, shtetasit E. Ll., 28 vjeç, dhe D. Ll., 28 vjeç, dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me një 25-vjeçar, të identifikuar me inicialet M. B. Të tre personat janë banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetet e tyre, uniformat blu nuk kanë gjetur mjete prerëse apo sende të tjera të kundërligjshme.

Pas konfliktit, të tre të rinjtë janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Policia bën me dije se konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.

Top Channel