Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Sara Mila, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është thirrur për të dhënë shpjegime në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshime për korrupsion zgjedhor.
Mila ka mbërritur e vetme në godinën e SPAK-ut rreth orës 10:00, ndërsa mësohet se është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat që po hetohen. Në momentin e mbërritjes, deputetja nuk ka preferuar të bëjë komente për gazetarët që e prisnin jashtë institucionit.
Sipas informacioneve paraprake, hetimi lidhet me dyshimet se persona të ndryshëm janë favorizuar përmes përfitimit të ndihmës ekonomike, në këmbim të votës për Partinë Socialiste gjatë zgjedhjeve. Dosja dyshohet se është përcjellë në Prokurorinë e Posaçme nga Prokuroria e Elbasanit.
Çështja raportohet se po ndiqet nga prokurori i posaçëm Bledar Maksuti. Megjithatë, deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për rrethanat konkrete të hetimit apo për çështjet mbi të cilat deputetes i është kërkuar të japë shpjegime.
Emri i Sara Milës është përmendur gjithashtu në aludime lidhur me dyshimet për mbështetje nga persona të lidhur me grupin kriminal të Suel Çelës gjatë rrugëtimit të saj drejt Kuvendit.
Sara Mila u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.