
Kanë kaluar tre vite nga tragjedia që tronditi futbollin shqiptar. Më 11 nëntor 2023, Raphael Dwamena u nda tragjikisht nga jeta në fushën e blertë, gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, pas një arresti kardiak.
Në këtë përvjetor të dhimbshëm, klubi i Egnatias ka kujtuar ish-sulmuesin përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, duke nderuar figurën dhe kontributin e futbollistit nga Gana, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e skuadrës rrogozhinase.
“Kanë kaluar 3 vite që nga ajo ditë e dhimbshme, por kujtimi yt mbetet po aq i gjallë sa atëherë. Fusha e blertë ishte vendi ku dhuroje pasionin tënd, por fati deshi që aty të mbetej edhe kujtimi yt i përjetshëm.
Përgjithmonë, KF Egnatia do të përkulet me respekt dhe nderim përpara kujtimit tënd. Nuk do të të harrojmë kurrë, Rafa! U prehsh në paqe Raphael Dwamena”, shkruan klubi.
Dwamena ishte një nga sulmuesit më cilësorë që kanë luajtur në futbollin shqiptar. Me fanellën e Egnatias, ai u shndërrua në një nga protagonistët kryesorë të skuadrës, duke fituar edhe zemrat e tifozëve.

