Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, akuzoi shumicën se po i lë pa shqyrtim projektet e opozitës dhe nuk po cakton data për trajtimin e tyre.
Ai kërkoi që në rendin e ditës të përfshihet dhe të hidhet në votim një paketë me katër nisma: shfuqizimi i ligjit për Investimet Strategjike, i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, i ligjit për Paketën e Maleve dhe i disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Të lidhura
None found
Duke iu referuar ligjit për Investimet Strategjike, Këlliçi tha se, pas 11 vitesh zbatim, 98% e kontratave kanë përfunduar te pesë oligarkë dhe përfaqësues të krimit të organizuar.
Sipas tij, vetëm 2% kanë të bëjnë me investitorë të huaj, përfshirë dy persona që i cilësoi si miq të kryeministrit Edi Rama.
Këlliçi e lidhi mosshqyrtimin e këtyre nismave me shqetësimet e paraqitura në Raportin e Komisionit Evropian.
Gjithashtu, ai tha se mazhoranca po dobëson kontrollin parlamentar, po cenon të drejtat kushtetuese të opozitës dhe nuk po zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Pjesë nga fjala e Belind Këlliçit:
Nismat e opozitës vazhdojnë të mos kenë një datë shqyrtimi. Kjo tregon se po përsëritet e njëjta praktikë: projektet tona lihen mënjanë dhe nuk merren në konsideratë.
Po e rikujtoj se kemi paraqitur një paketë të plotë ligjore, ku kërkohet:
1. Shfuqizimi i ligjit për Investimet Strategjike.
2. Shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
3. Shfuqizimi i ligjit për Paketën e Maleve.
4. Shfuqizimi i disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Këto nisma po bllokohen, ndonëse duhej të ishin përfshirë në seancën e parë parlamentare.
Dua të jem i qartë: nuk bëhet fjalë vetëm për propozime të Partisë Demokratike. Ato lidhen me kërkesa të drejtpërdrejta të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe me kushtet për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Këto ligje janë problematike, favorizojnë interesa të caktuara dhe shoqërohen me shqetësime për korrupsionin. Ato bien ndesh me parimet demokratike dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Në secilin prej tyre shfaqet i njëjti model: ligji përdoret për t’i vënë pronën, territorin dhe pasuritë publike në shërbim të interesave private.
Kjo praktikë, sipas meje, nxit favorizimin, zhvatjen dhe pasurimin e paligjshëm, si dhe lidhet me korrupsionin, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave.
Ligji për Investimet Strategjike meriton vëmendje të veçantë.
Pas 11 vitesh zbatim, sipas Këlliçit, 98% e kontratave të përfituara përmes këtij ligji u janë dhënë pesë oligarkëve dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, të cilëve u është njohur statusi i investitorit strategjik.
Ai shtoi se vetëm 2% e vendimeve lidhen me investitorë të huaj dhe se edhe këta janë dy njerëz të afërt me kryeministrin Edi Rama.
Ai përmendi gjithashtu pretendimin se ligji është përdorur për pastrimin e parave të pista, veçanërisht në sektorin e ndërtimit në bregdet.
Zoti Kryetar, është përgjegjësia juaj t’i fusni këto nisma në rendin e ditës dhe të garantoni shqyrtimin e votimin e tyre në Parlament.
Pse po e ngre këtë çështje sot? Sepse mbledhja mbahet vetëm pak ditë pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian. Raporti jep një vlerësim të rëndë për Shqipërinë dhe, fatkeqësisht, kritikat përfshijnë edhe Kuvendin.
Mes shqetësimeve të renditura në raport është dobësimi i kontrollit parlamentar. Për këtë, zoti Kryetar, ju keni përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Nuk mund të ketë demokratizim dhe përparim në integrimin evropian, nëse mazhoranca shkel rregullat, ligjin dhe Kushtetutën, duke e trajtuar Kuvendin si institucion njëpartiak. Vendimmarrja nuk mund të mbështetet vetëm te numrat, por duhet të respektojë Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren parlamentare.
Raporti evidenton mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës; shkeljen e barazisë para ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut; si dhe moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto janë vetëm disa nga problemet e përmendura.
Të nderuar kolegë, rikthejeni këtë institucion në rrugën e kushtetutshmërisë. Kuvendi nuk duhet përdorur si paradhomë e Partisë Socialiste.
Institucionet e vendit nuk janë pronë private dhe nuk mund të vihen në funksion të interesave politike, ndërsa opozita përjashtohet nga funksionimi normal i institucioneve kushtetuese.
Këtë e keni bërë dhe, për këtë arsye, keni humbur besimin e qytetarëve dhe keni nxitur zemërimin e studentëve. Keni vepruar kështu duke menduar se pushteti dhe institucionet ju përkasin.
Por institucionet nuk janë pronë e askujt.
Dhe përfundimi politik i kësaj mënyre qeverisjeje tashmë dihet.







