
Manchester United duket se ka nisur lëvizjet për të gjetur trajnerin e ri, në rast se vendos të shkarkojë Michael Carrick. Sipas gazetarit të njohur David Ornstein të “The Athletic”, drejtuesit e klubit anglez kanë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e Mauricio Pochettinos për kushtet personale të kontratës, ndërsa nuk priten pengesa në këtë aspekt.
Argjentinasi, aktualisht në krye të përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një emër që prej vitesh lidhet me stolin e “Djajve të Kuq”. Për ta liruar nga kontrata me federatën amerikane, Manchester United duhet të paguajë rreth 7.4 milionë paund.
Megjithatë, ende nuk ka pasur kontakte zyrtare me federatën amerikane, ndërsa Pochettino është i përqendruar te përgatitjet për ndeshjet e radhës të kombëtares. Një mbështetës i hershëm i emërimit të tij është edhe legjenda Sir Alex Ferguson, i cili prej më shumë se një dekade e dëshiron argjentinasin në “Old Trafford”.
Situata e Carrick është gjithnjë e më e vështirë. United ka regjistruar vetëm një fitore në 10 ndeshjet e fundit të Premier League dhe ndodhet në vendin e 18-të. Vendimi pritet të jetë urgjent, pasi pas pushimit të kombëtareve, United përballet me rivalin e përjetshëm Liverpool. Nëse shkarkimi i Carrick ndodh, klubi rrezikon të emërojë një trajner të përkohshëm për këtë sfidë.
