Një ngjarje e rëndë me shumë pikëpyetje po hetohet nga policia greke, pas gjetjes së trupit të një 24-vjeçareje nga Burkina Faso, të lidhur brenda një valixheje dhe të braktisur në një kosh plehrash në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë ditët e fundit të jetës së Aramatës, kthimin e saj nga ishulli Folegandros dhe lëvizjet që kreu në kryeqytetin grek përpara se të zhdukej. Në qendër të hetimeve është edhe identifikimi i personit që dyshohet se e vrau, si dhe i një bashkëpunëtori të mundshëm që mund të ketë ndihmuar në transportimin dhe fshehjen e trupit.
Sipas gazetës greke “Espresso”, policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personat që transportuan valixhen dhe e braktisën atë në koshin e plehrave. Vlerësimet paraprake të hetuesve e lidhin vdekjen me mbytjen, megjithëse shkaku përfundimtar ende nuk është përcaktuar. Aramata kishte qëndruar në ishullin Folegandros, ku punonte si pastruese. Ajo u kthye në Athinë më 28 tetor, një ditë përpara se partneri i saj, me origjinë nga Kameruni, të denonconte zhdukjen e saj në polici.
Sipas dëshmisë së partnerit, të cilin 24-vjeçarja e kishte njohur rreth dy vite më parë në ambientet e strehimoreve për emigrantët, ajo kishte kaluar natën e parë pas kthimit në banesën e tij. Më 29 tetor, ajo i kishte thënë se do të dilte për një shëtitje, pa i treguar se ku do të shkonte apo me kë do të takohej. E reja u largua nga apartamenti në rrugën Faethontos, e veshur me xhinse, reçipeta sportive dhe një bluzë. Me vete kishte marrë vetëm telefonin celular. Që nga ai moment, nuk pati më asnjë gjurmë të saj.
Një takim fatal në qendër të Athinës?
Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit është mundësia që 24-vjeçarja të kishte lënë një takim me një burrë të panjohur, në qendër të Athinës, i cili mund të ketë rezultuar fatal. Policia po heton kontaktet e saj dhe personat me të cilët kishte komunikuar përpara zhdukjes. Ndërkohë, sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, është zbehur pista e një lidhjeje të mundshme me trafikun e drogës, pasi nuk ka të dhëna se e reja apo partneri i saj konsumonin lëndë narkotike. Autopsia nuk ka mundur të përcaktojë përfundimisht shkakun e vdekjes, për shkak të dekompozimit të avancuar të trupit. Vlerësimet paraprake sugjerojnë se 24-vjeçarja kishte ndërruar jetë rreth një javë përpara se të zbulohej trupi i saj. Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga “Espresso”, dyshimet e policisë përqendrohen te mundësia e mbytjes, duke hetuar nëse viktima është mbytur apo nëse autorët i kanë bllokuar hundën dhe gojën për t’i shkaktuar vdekjen.
Hetuesit po mbledhin dëshmi dhe po analizojnë pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, me qëllim identifikimin e personave që kanë transportuar valixhen. Gjithashtu, nuk përjashtohet që partneri kamerunas i viktimës të thirret sërish për të dhënë dëshmi. Një tjetër element i rëndësishëm për hetimin mbetet telefoni celular i 24-vjeçares, i cili nuk është gjetur ende. Përmes tij, policia shpreson të zbulojë komunikimet dhe lëvizjet e fundit të saj përpara vrasjes.
