Një raport i Ministrisë së Brendshme mbi profilin kombëtar të migracionit evidenton një rritje të emigracionit familjar afatgjatë nga Shqipëria drejt Bashkimit Europian gjatë viteve të fundit, ndërkohë që statistikat dominohen nga pasaktësitë dhe të dhënat e shumta kontradiktore.
BIRN
Një raport i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i titulluar “Profili Kombëtar i Migracionit 2025” tregon se emigracioni shqiptar drejt Bashkimit Europian mbetet në nivele të larta, ndërkohë që Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të lejeve të para të qëndrimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Statistikat dëshmojnë se emigracioni jo vetëm që nuk është frenuar, por ka ndryshuar formë. Vala e kërkesave për azil e disa viteve më parë duket se është zëvendësuar gjithnjë e më shumë nga migracioni përmes kanaleve të ligjshme, kryesisht përmes bashkimit familjar apo punësimit.
Raporti i Ministrisë së Brendshme u publikua në Fletoren Zyrtare më 4 nëntor. Sipas tij, emigracioni i shqiptarëve po zhvendoset nga largimi individual i të rinjve, te bashkimi familjar dhe vendosja afatgjatë në vendet pritëse.
“Nëse periudha e mëparshme karakterizohej kryesisht nga emigracioni ekonomik dhe social i të rinjve, vitet e fundit është evidentuar një rritje e emigracionit të familjeve shqiptare, veçanërisht drejt vendeve raportuese,” thuhet në dokument.
Ndryshimi nga emigracioni individual apo sezonal drejt bashkimit familjar mund të tregojë një prirje për vendosje më të qëndrueshme jashtë Shqipërisë. Megjithatë, raporti nuk analizon shkaqet e këtij transformimi dhe as pasojat e tij demografike dhe ekonomike për vendin.
Përkundrazi, dokumenti e lidh çuditshëm orientimin drejt emigracionit afatgjatë me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2024–2030, duke i dhënë një konotacion pozitiv një zhvillimi që mund të ketë pasoja për popullsinë dhe tregun shqiptar të punës.
“Këto të dhëna tregojnë se migracioni shqiptar po kanalizohet kryesisht në rrugë të rregullta dhe afatgjata, në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2024-2030”, thuhet në përfundimet e raportit.
Në raport, shkaqet e emigrimit përmblidhen përciptaz te diferencat e pagave, bashkimi familjar, liberalizimi i vizave dhe rikthimi i lëvizshmërisë pas pandemisë. Por mungon një analizë se përse gjithnjë e më shumë familje zgjedhin ta ndërtojnë jetën jashtë Shqipërisë dhe se çfarë kuptimi ka ky zhvillim.
Lëmshi me numrat
Përveç trendeve kryesore të emigrimit, raporti i Ministrisë së Brendshme përmban gabime në shifra, përplasje të metodologjive në analizimin e statistikave dhe të dhëna kontradiktore.
Dokumenti i referohet fillimisht Censit 2023 të INSTAT, sipas të cilit diaspora shqiptare përbën rreth 49% të popullsisë së përgjithshme shqiptare, ose afërsisht 2.25 milionë persona. Më pas, duke përdorur të dhënat konsullore të Ministrisë së Jashtme, raportohet një diasporë prej vetëm 1.13 milionë personash.
Dy shifrat burojnë nga burime dhe metoda të ndryshme, por raporti nuk shpjegon mjaftueshëm se çfarë popullsie përfshin secila prej tyre.
Mospërputhjet shtrihen edhe te reflektimi i statistikave të Eurostat për emigracionin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian. Një nga pasaktësitë më të dukshme të raportit gjendet në kapitullin për lejet e qëndrimit të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian.
Duke iu referuar Eurostat-it, dokumenti pretendon se në vitin 2024 shtetasit shqiptarë përfaqësonin rreth 8% të 3.5 milionë lejeve të para të qëndrimit të lëshuara në BE, duke u renditur menjëherë pas ukrainasve, të cilëve u atribuon 31.9% të totalit.
“Shtetasit shqiptarë vijojnë të renditen ndër përfituesit kryesorë të këtyre lejeve, duke përfaqësuar rreth 8% të totalit,” thuhet në raport.
Por të dhënat e Eurostat-it, të cilave dokumenti u referohet, tregojnë se në vitin 2024, shqiptarët përfituan 66,193 leje të para qëndrimi, ose rreth 1.9% të totalit të BE-së.
Në fakt, përqindja prej rreth 8.4% i përket shtetasve ukrainas, të cilët morën 295,600 leje të para qëndrimi gjatë vitit 2024. Ndërsa 31.9%, që raporti ua atribuon ukrainasve, është pesha e lejeve të lëshuara për arsye punësimi për të gjitha shtetësitë.
Kontradiktat vazhdojnë edhe në llogaritjen e totalit për periudhën 2020–2024. Raporti pretendon se gjatë këtyre pesë viteve u lëshuan rreth 338 mijë leje të para qëndrimi për shqiptarët, por mbledhja e shifrave vjetore të paraqitura në grafikun shoqërues jep 357,358 leje, ose mbi 19 mijë më shumë.
Raporti pretendon ndër të tjera se gjatë vitit 2025, mbi 106 mijë shqiptarë, pjesë e diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u “zhdukën” nga statistikat.
“Në krahasim me vitin 2024, rëniet më të ndjeshme u evidentuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 106,872 shtetas më pak”, thuhet në raport, i cili e vendos numrin e shqiptarëve në SHBA në 224 mijë në vitin 2024 dhe në 117,128 një vit më vonë.
Megjithatë, dokumenti nuk shpjegon se çfarë zhvillimi i jashtëzakonshëm mund të ketë shkaktuar përgjysmimin e komunitetit shqiptar në SHBA brenda një viti dhe as se ku mund të jenë zhvendosur mbi 106 mijë personat që rezultojnë të munguar.
Një tjetër mospërputhje lidhet me numrin e shtetasve të huaj që jetojnë në Shqipëri.
Sipas INSTAT-it, në fund të vitit 2025 numri i të huajve me leje qëndrimi arriti në 32,163 persona, me një rritje prej 46.6% krahasuar me vitin 2024.
Ndërkohë, raporti i Ministrisë së Brendshme, duke iu referuar të dhënave administrative të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, jep një total prej 27,514 shtetasish të huaj me leje qëndrimi, me një rritje prej 25.4%.
Diferenca prej 4,649 personash mes dy publikimeve mbetet e pashpjeguar, megjithëse të dyja i referohen numrit të të huajve me leje qëndrimi në fund të të njëjtit vit.
I pyetur për pasaktësitë në dokumentin e miratuar prej tij, ministri i Brendshëm, Ervin Demo nuk iu përgjigj pyetjeve deri në publikimin e këtij shkrimi.
Vend tranziti për migracionin e parregullt
Pavarësisht mospërputhjeve në statistikat për të huajt, raporti evidenton një rritje të imigracionit drejt Shqipërisë, kryesisht për motive punësimi, me një prani në rritje të shtetasve nga vende si India, Filipinet, Egjipti dhe Nepali.
Të huajt me leje qëndrimi janë të përqendruar kryesisht në sektorët e shërbimeve dhe aktivitete të tjera ekonomike që kanë kërkesë për fuqi punëtore.
Paralelisht me imigracionin për punësim, viti 2025 shënoi edhe një rritje të kërkesave për azil në Shqipëri.
Sipas raportit, pas rritjes nga 125 azilkërkues në vitin 2022 në 261 në vitin 2023 dhe rënies në 104 kërkesa gjatë vitit 2024, në vitin 2025 u regjistruan 144 azilkërkues, ose 38.5% më shumë se një vit më parë.
Megjithatë, këto shifra mbeten relativisht të ulëta, çka sipas Ministrisë tregon se Shqipëria vijon të përdoret kryesisht si vend tranziti.
“Kjo tregon se Shqipëria vijon të ketë kryesisht rolin e një vendi tranziti përgjatë rrugëve migratore, ndërsa vetëm një pjesë e kufizuar e migrantëve zgjedhin të paraqesin kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare në territorin shqiptar”, arsyetohet në dokument.
Raporti evidenton gjithashtu një ndryshim në vendet e origjinës së azilkërkuesve. Ndërsa gjatë viteve 2022–2024 mbizotëronin shtetasit afganë, në vitin 2025 numrin më të lartë të kërkesave e paraqitën shtetasit egjiptianë, me 57 aplikime ose 39.6% të totalit.
Ata u pasuan nga shtetasit afganë me 17 kërkesa dhe palestinezët me 13 kërkesa. Numra më të ulët u regjistruan nga shtetasit sirianë, ukrainas, nigerianë, kinezë dhe jordanezë.
Një ndryshim tjetër ishte rritja e vendimeve pozitive për njohjen e statusit të refugjatit.
“Pas mungesës së plotë të vendimeve pozitive në vitin 2023 dhe vetëm një rasti në vitin 2024, gjatë vitit 2025 u njohën 7 raste, duke treguar një rritje të ndjeshme të rasteve që plotësonin kushtet për këtë formë mbrojtjeje,” thuhet në raport. Krahas tyre, mbrojtja plotësuese mbeti forma kryesore e mbrojtjes ndërkombëtare, me 13 vendime pozitive gjatë vitit 2025.
© SYRI.net