Pa skuadër që nga fillimi i këtij sezoni, por pikë fikse në përfaqësuese. Elseid Hysaj është një rast unik, me anësorin kuqezi që vijon të stërvitet në mënyrë të diferencuar në pritje të një ofertë të përshtatshme për të vijuar karrierën e tij. Në këtë moment delikat, ekipi përfaqësues është kthyer në një “bekim” për Hysajn, një vitrinë e rëndësishme për të tërhequr vëmendjen e ekipeve që kërkojnë një anësor për të përforcuar prapavijën.
Hysaj ka një bonus të jashtëzakonshëm pasi është një lojtar i lirë, mund të firmos në çdo moment me çdo skuadër që kërkon shërbimet e tij. Që pas largimit nga Lazio, Hysaj është në pritje të ofertës së duhur. Ekipi i parë që shfaqi interes për të ishte Lecce, që në verë, por kërkesat e tij ekonomike, të larta, nuk mundësuan transferimin e tij te Lecce. Më pas në skenë doli Boligna, me këta të fundit që kërkuan në treg një lojtar të lirë pas dëmtimit të Hold. Në fund, Bologna vendosi t’i besojë një tjetër lojtari të lirë, Darmian.

Së fundmi, pas Vllazninë, Hysaj po stërvitet tek ish ekipi i tij, Empoli, gjithmonë në pritje të një ofertë. Në fakt, edhe pse pa skuadër, dhe në deri diku në moshë, 32 vjeç, ofertat për Hysajn nuk mungojnë pasi sipas “TuttomercatoWeb”, për të kanë shfaqur interesim disa klube nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por Hysaj vijon të refuzojë çdo ofertë që vjen nga jashtë Italisë. Dëshira e tij është të qëndrojë në Itali, në vendin ku ka zhvilluar të gjithë karrierën.
