Gërguri: Për projektin në Ulpianë do të duhej fillimisht debat publik me banorët
Një nga banorët e lagjes “Ulpiana” në Prishtinë, Enver Gërguri ka thënë se projekti për ndërtim i miratuar në Asamblenë Komunale për t’u bërë në këtë lagje cenon sigurinë e banorëve në radhë të parë.
Ai në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se para se të merren një vendim i tillë, do të duhej që fillimisht të organizohej një debat publik me banorët e kësaj lagje.
Gërguri ka thënë se janë kundër që t’iu merret hapësira publike në emër të Lojërave Mesdhetare.
“Dua të përcjell mesazhin e banorëve se banorët e lagjes ‘Ulpiana’ nuk janë kundër Lojërave Mesdhetare, por kundër marrjes së hapësirave të tyre publike në emër të Lojërave Mesdhetare. Unë mendoj se një projekt i tillë cenon shumë sigurinë e lagjes dhe do të ishte dashur që për këtë të bëhej një debat publik para se të merrej një vendim i tillë në Asamblenë Komunale. Do të duhej të bëhej fillimisht ky debat publik me banorët dhe të shihet ku dhe çka kërkohet”, ka thënë Gërguri.
Ai ka thënë se përveç kësaj, para fillimit të punimeve duhet që edhe ekspertët të bënin një studim të fizibilitetit sepse mund të rrezikohet siguria e banorëve pa ndonjë analizë në aspektin e emergjencave.
Sipas Gërgurit, dëmet do të mund të vinin kur kemi të bëjmë me fatkeqësitë natyrore.
“Duke pasur parasysh se jam banor i kësaj lagje dhe e njoh mjaft mirë këtë lagje, mendoj se është e padrejtë të cenohet lagjja sepse me këtë cenohet siguria e lagjes. Para se të fillohet e të punohet diçka do të duhej që fillimisht ekspertët të kryenin një fizibilitet në aspektin e emergjencave dhe sigurisë. Dëmet mund të na vijnë shumë në aspektin e emergjencave sidomos kur kemi të bëjmë me katastrofat natyrore e që na paraqiten shumë shpesh si rrëshiqtjet e dheut, e më pastaj mund të kemi edhe tërmete me katastrofa të mëdha dhe na bëhet rrezikshmëri e madhe për banorët”, ka thënë Gërguri.
Ndonëse Kuvendi Komunal tashmë ka caktuar lokacionin për ndërtim, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama është shprehur se objekti do të bëhet vetëm nëse nevojitet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Rama ka thënë gjithashtu se e gjitha ishte vetëm propozim dhe se nuk do të bëhet asgjë pa pajtimin e banorëve të zonës.
Ai është shprehur se Fontana dhe hapësira përreth saj nuk do të preken nga parkingu nëntokësor, nëse do të realizohet si projekt.
Kyçyku: Asambleja duhet ta anulojë vendimin për ‘Ulpiana 2030 Legacy’
Arkitekti Uran Kyçyku ka kërkuar që Asambleja Komunale e Komunës së Prishtinës ta anulojë vendimin për projektin “Ulpiana 2030 Legacy”, duke thënë se bëhet fjalë për një vendim dhe jo vetëm për një projekt-propozim.
Kyçyku ka thënë se ndërhyrjet e tilla urbanistike nuk janë precedent i parë në Prishtinë, por se rasti i “Ulpianës” ka nxitur reagim më të madh publik.
“Nuk është precedenti i parë. Ne në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës njohim edhe precedentë të tjerë që janë bërë në Prishtinë, në lokacione të ndryshme, që janë aprovuar kështu, ndoshta publiku nuk ka qenë i vëmendshëm si te ky rast. Pjesa ‘Te Fontana’ ka qenë si emblemë e arkitekturës së kësaj pjese”, ka thënë Kyçyku në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka theksuar se konsultimi me banorët nuk është vetëm çështje vullneti të komunës, por detyrim.
“Para së gjithash, nuk është veç dëshirë e komunës për t’i konsultuar banorët, por është detyrim”, ka deklaruar ai.
Sipas Kyçykut, kryetari i Komunës së Prishtinës është tërhequr pas reagimit të banorëve dhe opinionit publik, por ai vlerëson se kjo nuk mjafton.
“Kryetari i Komunës e ka parë reagimin dhe u tërhoq, arsyeshëm, sepse reagimi ka qenë më ndryshe se në pjesët e tjera”, ka thënë Kyçyku.
Ai ka kërkuar nga Asambleja Komunale që ta anulojë vendimin, duke paralajmëruar se, nëse ai mbetet në fuqi, projekti mund të realizohet në një moment kur presioni publik të jetë zbehur.
“Mendoj që këtë vendim Asambleja duhet ta anulojë, sepse ky vendim krijon një precedent tjetër. Vijmë në një situatë ku presioni i publikut bie dhe fillon të realizohet në një kohë të qetë. I bëj thirrje kryetarit të Asamblesë ta anulojë dhe banorëve të kërkojnë anulimin e këtij vendimi. Është në letër. Nëse në këtë presion nuk ndërtohet, mund të ndërtohet në një kohë të qetë. Vendimi është dhe pastaj mund të çelet konkursi. Prandaj duhet të kërkohet anulimi i vendimit. Sepse ne reagojmë shpejt dhe kthehemi shpejt”, ka thënë Kyçyku.
Salihu për projektin e Ulpianës: Është tentuar të kamuflohet nëpërmjet Lojërave Mesdhetare
Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se Komuna e Prishtinës ka tentuar ta kamuflojë projektin në “Ulpianë” nëpërmjet Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
“Prishtina 2030 Legacy”, është një projekt i ri, për të cilën, në një seancë të jashtëzakonshme, të premten, Kuvendi Komunal i Prishtinës, ka caktuar lokacionin “Te Fontana”. Salihu tha se kjo ishte pika e nëntë e rendit të ditës në atë seancë. dhe jo rastësishëm.
Ai ka thënë se kjo është bërë me qëllim duke shpresuar në lodhjen e asamblistëve e pamundësinë e tyre të diskutojnë e problematizojnë një pikë të tillë të rendit të ditës.
Salihu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se bazuar në dokumentet që ka shikuar as që ka arritur të gjejë se Komuna e Prishtinës në të kaluarën ka pasur ndonjë plan, ide apo projekt për të investuar në zonën te “Fontana”.
Salihu ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, para dy jave ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media, duke treguar për rrezikun që Prishtina ta humbë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. E tash po përdor këto Lojëra, si tentim për të kamufluar projektin te Ulpiana.
“Absolutisht është tentuar të kamuflohet e të trafikohet nëpërmjet Lojërave Mesdhetare”, tha Salihu.
Ai ka thënë se as që janë konsultuar banorët e zonës lidhur me këtë projekt.
“Ajo qysh e pas, me u përgjigj më shkurt, gjendjen sot. Udhëheqja në Prishtinë se di çfarë po ndërton, e komuniteti që po kundërshton nuk e di çfarë po kundërshton”, tha Salihu.
Salihu ka thënë se vendimi për projektin “Ulpiana” është pak a shumë i njëjtë si çështja e projektit në Badoc.
“Edhepse nuk u votua me unanimitet si i Badocit, pak a shumë kështu e kam parë. Njëfarë interesi këtu është”, tha Salihu.
Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor të vitit 2023 kishte miratuar propozimin e kryetarit Përparim Rama që të këmbente një pronë private në Badoc me një pronë komunale në zonën Prishtina e Re. Ishte propozuar që rreth 8 hektarë në Badoc të këmbeheshin me rreth 21 hektarë te Prishtina e Re.
Pati reagime të shumta. Instituti i Kosovës për Drejtësi e dërgoi çështjen në gjykatë. Më 6 shkurt të vitit 2024 Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën për këmbimin e pronave deri në vendim përfundimtar gjyqësor.
Ndërkohë më 8 shkurt të vitit 2024 Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti seancë të jashtëzakonshme dhe anuloi vendimin me 27 vota për.
Berani: Kah erdhi vendimi për ndërtimin në ‘Ulpianë’, nga ‘qielli’ në Asamblenë Komunale
Gazetarja dhe banorja e lagjes “Ulpianë”, Evliana Berani, ka kritikuar vendimin për ndërtimin e një objekti dhe një parkingu nëntokësor në vendin e njohur si “Te Fontana”, duke thënë se banorët nuk janë konsultuar paraprakisht.
Berani ka thënë se është e pakuptimtë që banorët të mësojnë për ndryshime serioze urbanistike në lagjen ku jetojnë pa u përfshirë në procesin e vendimmarrjes.
“Është e pakuptimtë dhe krejtësisht e pacipë që njerëzit dhe banorët e secilës lagje të mësojnë se do të ketë ndryshime serioze urbanistike në lagjen ku banojnë, pa u konsultuar ata paraprakisht”, ka thënë Berani në “Konfront” të KTV-së.
Ajo ka ngritur pyetje se si ka ardhur ky propozim në Asamblenë Komunale.
“Nuk pashë askund informacion, a u mbajt ndonjë konsultim? Si erdhi ky vendim, nga qielli në Asamblenë Komunale, dhe ti e sheh si propozim-ide që është votuar dhe askush nuk e ka të qartë a është vendim apo propozim”, ka deklaruar Berani.
Berani, e cila ka thënë se jeton në “Ulpianë” që nga vitet ’70, u shpreh se nuk është në dijeni për hapësira të lira në lagje që mund të shfrytëzohen për ndërtime.
“Nëse politikbërësit me hapësirë të lirë nënkuptojnë fushat sportive, parqet, ajo është temë tjetër për diskutim, por këto nuk janë hapësira për ndërtim”, ka thënë ajo.
Sipas Beranit, në të kaluarën nuk ka ndodhur që të merren vendime për ndërtimin e objekteve, parqeve apo fushave sportive pa u konsultuar paraprakisht me banorët dhe ekspertët e fushës.
Lokacioni për ndërtimin e objektit dhe parkingut nëntokësor u votua në Asamblenë Komunale të kryeqytetit javën e kaluar. Pas presionit publik, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ndërtimi nuk do të ecë përpara nëse nuk e duan banorët.