Lucerni synon t’u japë të rinjve nga mosha 14-vjeçare më shumë zë në politikë, qytetarët votojnë më 29 nëntor

Qyteti i Lucernit në Zvicër synon të zgjerojë mundësitë e përfshirjes së të rinjve në politikë, duke u lejuar edhe personave nga mosha 14-vjeçare që të paraqesin kërkesa dhe shqetësime të tyre në parlamentin komunal.
Sipas televizionit publik zviceran SRF, propozimi parasheh që të rinjtë të mund të paraqesin një kërkesë politike nëse arrijnë të mbledhin 200 nënshkrime. Aktualisht, këtë të drejtë e kanë personat nga mosha 18-vjeçare, ndërsa ndryshimi synon që kufiri minimal të ulet në 14 vjeç.
Nisma vjen pas një mocioni të Partisë Socialdemokrate (SP) të paraqitur në vitin 2021. Përkrahësit e saj vlerësojnë se të rinjtë duhet të kenë mundësi të ndikojnë në vendimmarrje dhe të sjellin në vëmendje çështje që shpesh mund të mos vërehen nga të rriturit.
Yannick Gauch, një nga iniciuesit e propozimit, thotë se të rinjtë kanë perspektiva të rëndësishme për shoqërinë dhe duhet të kenë mundësi t'i shprehin ato përmes institucioneve politike.
Megjithatë, iniciativa ka hasur edhe në kundërshtime. Partia Popullore Zvicerane (SVP) është e vetmja parti në qytetin e Lucernit që synon të rekomandojë votimin kundër saj. Kryetari i kësaj partie, Marko Hotz, vlerëson se mosha 14-vjeçare është shumë e hershme për një përgjegjësi të tillë dhe argumenton se jo të gjithë të rinjtë në këtë moshë kanë të njëjtin nivel interesi dhe pjekurie politike.
Propozimi nuk nënkupton uljen e moshës së votimit nga 18 në 16 vjeç, transmeton Telegrafi.
E drejta për të votuar do të mbetet e pandryshuar, ndërsa vendimmarrja për kërkesat e paraqitura do të vazhdojë t'i takojë parlamentit komunal.
Ekspertët e edukimit qytetar e konsiderojnë përfshirjen më të madhe të të rinjve si një mundësi pozitive për demokracinë. Monika Waldis, drejtuese e Qendrës për Edukim Politik dhe Didaktikë të Historisë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Zvicrës Veriperëndimore, thotë se studimet tregojnë se të rinjtë kanë dëshirë të marrin pjesë në proceset politike, por shpesh u mungojnë mundësitë për ta bërë këtë.
Qytetarët e Lucernit do të votojnë për këtë ndryshim më 29 nëntor 2026.
Nëse miratohet, rregullorja e re do të hyjë në fuqi më 1 mars 2027, duke u mundësuar rreth 2.300 të rinjve të moshës 14 deri në 18 vjeç që të paraqesin kërkesat e tyre në institucionet komunale./Telegrafi/

































