Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka kërkuar përfshirjen e një paralajmërimi të ri në fletëudhëzuesit e të gjitha medikamenteve të grupit GLP-1, të përdorura për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe rënien në peshë, për shkak të një rreziku të mundshëm për humbjen e shikimit.
Paralajmërimi përfshin medikamente të njohura si Ozempic, Wegovy, Mounjaro dhe Zepbound. Bëhet fjalë për një gjendje të rrallë të quajtur NAION, e cila shkaktohet nga pakësimi i qarkullimit të gjakut drejt nervit optik dhe mund të sjellë humbje të papritur, pa dhimbje, të shikimit në njërin sy. Në disa raste, dëmtimi mund të jetë i përhershëm.
Vendimi i FDA-së vjen pas shqyrtimit të 126 provave klinike, ku morën pjesë mbi 134 mijë persona. Gjatë analizës u identifikuan 15 raste të mundshme të kësaj sëmundjeje: 10 te pacientët që merrnin medikamente GLP-1 dhe 5 te ata që merrnin placebo.
Sipas të dhënave të agjencisë, rastet e raportuara ishin 6.4 për çdo 100 mijë vite-pacient te përdoruesit e GLP-1, krahasuar me 3.8 raste te grupi krahasues. Megjithatë, FDA thekson se bëhet fjalë për një rrezik të mundshëm dhe se të dhënat nuk provojnë përfundimisht se këto medikamente shkaktojnë drejtpërdrejt sëmundjen.
Simptomat përfshijnë humbje të papritur dhe pa dhimbje të shikimit në njërin sy, shfaqjen e njollave të errëta, turbullimin e shikimit apo vështirësi në dallimin e ngjyrave. FDA këshillon pacientët që të kontaktojnë menjëherë mjekun nëse përjetojnë këto shqetësime.
Agjencia nuk kërkon ndërprerjen automatike të trajtimit, por u rekomandon pacientëve që të diskutojnë me mjekun për çdo shqetësim apo vendim lidhur me përdorimin e këtyre medikamenteve.