Një aksident i pazakontë është regjistruar pranë aeroportit Lilydale, në zonën Yering të Melburnit, Australi, ku një avion i vogël ka goditur një automjet gjatë manovrës së uljes. Si pasojë, dy persona që ndodheshin në makinë kanë mbetur të plagosur, ndërsa piloti student dhe instruktori i tij kanë shpëtuar pa lëndime.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 me kohën lokale, në MacIntyre Lane, pranë pistës së aeroportit. Avioni i tipit Piper PA-28 po kryente një fluturim stërvitor, kur gjatë afrimit për ulje u përplas me një automjet që po lëvizte në rrugën pranë aeroportit.
Në makinë ndodheshin një grua rreth të 60-ave dhe një burrë rreth të 70-ave. Të dy pësuan dëmtime në kokë dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Maroondah.
Ndërkohë, dy personat në bordin e avionit, studenti që po drejtonte mjetin fluturues dhe instruktori i tij, nuk pësuan lëndime. Avioni pësoi dëmtime të konsiderueshme, përfundoi në një zonë pranë rrugës dhe humbi njërin prej krahëve.
Në vendngjarje mbërritën policia, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore. Për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve, qarkullimi në zonë u ndërpre përkohësisht.
Byroja Australiane e Sigurisë së Transportit (ATSB) ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


