Nora Malaj është përfshirë në një debat me të rinjtë në emisionin “Topin e kam unë”, me moderatore Grida Dumën, ku në fokus kanë qenë protestat, përgjegjësia e brezave dhe ndryshimet politike në vend.
Gjatë diskutimit, Malaj pranoi se brezi i saj mban përgjegjësi për faktin që Shqipëria ka mbetur në tranzicion për 36 vite, pa arritur të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm shtetëror.
“Ne kemi një faj, jo gabim, që në 36 vite e lamë vendin në tranzicion, nuk ndërtuam sistem. Unë kam ngrënë gaz lotsjellës, kam lëvizur mes plumbave të 1997-ës. Nuk e mbyllëm tranzicionin për të ndërtuar shtetin”, u shpreh ajo.
Malaj paralajmëroi gjithashtu se përqendrimi i të gjitha pushteteve në duart e një partie mund të çojë në diktaturë, ndërsa kritikoi edhe mungesën e përgjegjësisë qytetare dhe politike.
“Ne brezi ynë e bëmë revolucionin, por nuk e çuam të plotë. Na bëri realizmi makiavelist dhe kishim frikë”, deklaroi Malaj.












