Nga pistat e “Formula 1” te misioni humanitar, Lewis Hamilton në ndihmë të palestinezëve

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton, ka udhëtuar të martën drejt Egjiptit, ku ka vizituar strukturat që merren me grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare për popullsinë palestineze në Rripin e Gazës.
Sipas agjencisë “Reuters”, piloti britanik i Ferrarit ka qenë në pikën kufitare të Rafahut, që lidh Egjiptin me Gazën, si dhe në magazinat e Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane në qytetin El Arish, ku përgatiten furnizimet që synojnë të mbërrijnë te banorët palestinezë.
Gjatë vizitës, Hamilton është pritur nga guvernatori i Sinait të Veriut, Khaled Megawer, i cili e ka njohur me mënyrën se si organizohen, koordinohen dhe transportohen ndihmat drejt territorit palestinez.
Ky angazhim vjen në një kohë kur kriza humanitare në Gaza vijon të jetë shqetësuese, ndërsa sasia e ndihmave që mbërrin në zonë mbetet larg nevojave të popullsisë.
Hamilton ka qenë prej kohësh një nga sportistët e njohur që ka reaguar publikisht për situatën në Gaza, duke dënuar vrasjen e civilëve dhe veçanërisht të fëmijëve palestinezë, si dhe duke bërë thirrje për armëpushim.
Në tetor, gjatë një konference për shtyp përpara Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara, britaniku kërkoi që vëmendja ndërkombëtare të përfshinte edhe krizat humanitare në Sudan, Kongo dhe Siri.
Përveç karrierës së tij në pistat e Formula 1, piloti 41-vjeçar është i angazhuar edhe në nisma bamirësie. Në vitin 2021 ai themeloi organizatën “Mission 44”, e cila synon të mbështesë të rinjtë përmes mundësive më të mira në arsim dhe punësim.
Vizita në Rafah shënon një tjetër angazhim të Hamilton në lidhje me çështjen palestineze, këtë herë përmes njohjes nga afër me punën e organizatave humanitare.




