“Burg, burg, burg…”, Dudushi: SPAK-u ka rënë në kurthin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar

Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për çështjen e Fredi Belerit ishte në fokus të diskutimit këtë të martë në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus.
Gazetari Alban Dudushi vuri në dukje se vendimet për masat e sigurisë janë një tregues i rëndësishëm për të vlerësuar cilësinë e punës së SPAK-ut.
Sipas tij, opinioni publik ka ushtruar presion për arrestime, ndërsa cilësia e punës së Prokurorisë së Posaçme duhet të matet nga vendimet që merr gjykata.
“Ai vendim i Strasburgut që flet për paraburgimin më duket pjesa më interesante. Por kam një ide ndryshe nga ajo që thuhet për SPAK-un. Mendoj se SPAK-u ka rënë në kurthin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Opinioni publik ka kërkuar: burg, burg, burg! Njerëzit duhet t’i arrestojmë, pavarësisht nëse bëhet gjyq apo jo, dhe SPAK-u ia ka dhënë këtë kënaqësi. Kjo nuk është parë si arritje e SPAK-ut. Është Gjykata e Posaçme ajo që duhet parë në mënyrën se si jep vendimet. Dhe aty kuptohet vërtet cilësia e punës së SPAK-ut”, tha Dudushi.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se autoritetet gjyqësore shqiptare kishin shkelur Nenin 5/3 të Konventës Evropiane, duke e mbajtur Belerin në paraburgim pa arsye të mjaftueshme pas përfundimit të hetimeve paraprake për korrupsion zgjedhor.




