Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas diskutimeve të zhvilluara sot në Parlamentin Europian, duke pretenduar se qëndrimet e eurodeputetëve, veçanërisht ato të kreut të Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, përbëjnë një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Sipas Këlliçit, gjatë diskutimeve u evidentuan korrupsioni, padrejtësitë, arroganca dhe dhuna policore, të cilat, sipas tij, janë ndër shkaqet kryesore të revoltës dhe protestave në Shqipëri.

Ai kundërshtoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit Rama për përfshirje të agjentëve të huaj, lëvizjes Antifa apo organizatorëve të brendshëm në protestat, duke i cilësuar ato si pjesë të propagandës qeveritare.

“Janë aferat e tij, korrupsioni në çdo sektor dhe inkriminimi që e kanë futur Shqipërinë në krizë”, shkruan Këlliçi.

Deputeti demokrat pretendon se nga Brukseli ka ardhur një mesazh i qartë për nevojën e largimit të Ramës, në mënyrë që të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në përfundim, Këlliçi thotë se Parlamenti Europian ka njohur realitetin e protestave dhe ka ofruar si zgjidhje krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Reagimi i plotë:

Parlamenti Europian rrëzon Ramën bashkë me propagandën e tij banale!
Qëndrimet sot të anëtarëve të Parlamentit Europian e në veçanti të kreut të Komisionit të Jashtëm, David McAallister, ishin një goditje direkte për Edi Ramën, qeverisjen e tij dhe rrëzim i propagandës.
Ata njohën korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe brutalitetin policor të qeverisë si burimin e revoltës dhe protestave në vend.
Skenari propagandistik i Edi Ramës me agjentë të huaj, me lëvizje Antifa, apo me puçistë të brendshëm, nuk pi ujë askund!
Janë aferat e tij, korrupsioni në çdo sektor dhe inkriminimi që e kanë futur Shqipërinë në krizë.
Sot nga Brukseli ka ardhur mesazhi i qartë dhe pa ekuivok, se për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet larguar Rama.
PE njohu sot realitetin siç është dhe ofroi zgjidhje: Qeveri teknike, zgjedhje të lira e të ndershme!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb