Dosjet që trembin krimin, Karamuço zbulon kush është prokurori i SPAK që kërkon mbrojtje edhe për familjen
Kërcënimet ndaj prokurorëve të SPAK vijojnë të jenë një shqetësim serioz për sigurinë e tyre, ndërsa disa prej incidenteve të raportuara nuk janë bërë publike. Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço ka identifikuar Altin Dumanin si prokurorin që, sipas vlerësimit të tij, përballet me nivelin më të lartë të rrezikut nga krimi i organizuar në Shqipëri.
Gjatë një deklarate për mediat, Karamuço bëri të ditur se kërcënimet ndaj prokurorëve kanë qenë të vazhdueshme dhe se në disa raste situatat kanë përshkallëzuar deri në përballje me armë zjarri.
Ai përmendi një incident në Fier, por tha se ngjarje të tjera janë regjistruar edhe në Tiranë e Durrës, pa marrë vëmendjen publike.
“Janë një trupë që përballet çdo ditë me kërcënime. Mbani mend, kemi pasur deri përplasje duke nxjerrë armët e zjarrit, siç ka ndodhur në Fier, por edhe raste të tjera që nuk janë bërë publike, edhe në Tiranë, edhe në Durrës”, u shpreh Karamuço.
Dumani, me masa të posaçme sigurie
Duke folur konkretisht për Altin Dumanin, profesori i kriminalistikës tha se çështjet që ai ka hetuar e kanë ekspozuar ndaj kërcënimeve serioze. Sipas tij, rreziku nuk lidhet vetëm me sigurinë personale të prokurorit, por edhe me atë të familjarëve të tij.
Karamuço deklaroi se për Dumanin është vënë në dispozicion një numër i konsiderueshëm punonjësish sigurie, pasi strukturat përgjegjëse kanë vlerësuar se ai ka nevojë për mbrojtje të veçantë.
“Prokurori sot më i kërcënuar nga ana e krimit të organizuar në Shqipëri është Altin Dumani, për shkak të çështjeve që ka dhe numrit të madh të rojeve që i janë vënë në dispozicion. Është parë e udhës të jetë i mbrojtur për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që i janë bërë për vete dhe familjen”, deklaroi ai.
Sipas Karamuços, niveli i sigurisë përcaktohet nga një strukturë e posaçme që analizon rrezikun ndaj prokurorëve dhe vendos masat përkatëse në varësi të kërcënimeve të konstatuara.
Deklaratat rikthejnë vëmendjen te presioni dhe rreziqet me të cilat përballen hetuesit e çështjeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe te nevoja për garantimin e sigurisë së tyre dhe familjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



