Britania e Madhe arreston ushtarin amerikan, dyshohet se ndihmoi inteligjencën ruse

10/11/2026 21:17

Një anëtar i lartë i Ushtrisë Amerikane është arrestuar në Britaninë e Madhe, nën dyshimin se ka ndihmuar shërbimet e inteligjencës ruse.

Lajmi është bërë i ditur nga policia britanike, ndërsa arrestimi është kryer të martën pranë qytetit të Gloucester, në Anglinë perëndimore.

Sipas policisë, 41-vjeçari dyshohet për vepra penale në bazë të neneve 1 dhe 3 të Aktit të Sigurisë Kombëtare, që lidhen me marrjen ose zbulimin e informacionit të mbrojtur dhe ndihmën ndaj një shërbimi të huaj inteligjence. Vendi me të cilin lidhen dyshimet është Rusia.

I dyshuari ndodhet në paraburgim në një komisariat policie në Londër, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për çështjen, raporton Reuters.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi arrestimin si një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar se akuzat për spiunazh përbëjnë një shqetësim madhor për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre

“Ky arrestim i rëndësishëm përfshin akuza për spiunazh, i cili është shqetësimi më i madh për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”, deklaroi Patel.

Ndërkohë, gjenerali i brigadës Sean Stinchon, komandant i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane, paralajmëroi për rrezikun që paraqesin kërcënimet e brendshme.

“Sjellja e dyshuar e një ushtari të lartë, të cilit i janë besuar informacione të ndjeshme, është një kujtesë e thellë se kërcënimet nga brenda janë reale dhe të vazhdueshme”, u shpreh ai.

Top Channel